Pse PS e flaku Gysin e Vlorës: Sinjalet e Taulantit dhe lufta e klaneve për kupolën e partisë
Edi Rama ngarkoi dje kryetarin e grupit parlamentar të PS-së të bënte një deklaratë publike. Taulant Balla i kërkoi Vlora Hysenit të gjente një avokat të mirë, ndërsa për Ergys Agasin tha se nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e Partisë Socialiste.
Në thelb, ky qëndrim nuk lidhet vetëm me këta dy emra, por me grupin e madh të interesit brenda mazhorancës që fshihet pas tyre.
Bëhet fjalë për një grup të fuqishëm, të rëndësishëm dhe me ndikim të madh brenda pushtetit. Sipas informacioneve të qarkulluara prej kohësh, ky grup ka përdorur mediat, materialet komprometuese, videot, sulmet dhe presionin për të fituar pushtet dhe para.
Prej një viti, grupimi ka tentuar të marrë kontrollin e një pjese të mazhorancës, duke përdorur pikërisht materialet dhe mekanizmat e tij të shantazhit. Pas rënies së Gysit, Taulant Balla, natyrisht me lejen e Edi Ramës, e delegjitimoi publikisht këtë grup brenda mazhorancës.
Kjo nuk mbyllet me një deklaratë. Tani pritet të nisë një përplasje e madhe mes klaneve. Grupi do të përpiqet të rimarrë kontrollin ose, së paku, të sigurojë një pozicion tjetër brenda pushtetit.
Synimi i deklaratës së Ballës duket i qartë. Edi Rama kërkon ta përçajë grupin dhe më pas ta sundojë, duke e vënë nën kontroll strukturën që kishte Gysin si zëdhënës dhe koordinator.
Ky pozicion i Ramës lidhet me vendimet që mori vetë gjatë viteve, kur e fuqizoi grupin deri në atë pikë sa ai rrezikoi të merrte kontrollin e një pjese të pushtetit.
Rama ka vepruar si një ekuilibrist mbi tel, me bindjen se mund t’i kontrollonte bishat dhe t’i përdorte sipas nevojës. Kjo strategji i ka sjellë mazhorancës më shumë përfitime sesa humbje, por tani po prodhon faturën e vet.
Sipas të gjitha gjasave, Partia Socialiste ka hyrë në një fazë të re. Brenda saj po përgatitet një stinë e ngarkuar me lëvizje dhe përplasje. Edhe rikthimi i Saimir Tahirit në skenë përbën një zhvillim që lidhet me këtë periudhë.
Mbetet për t’u parë se sa do të ndikojë ai politikisht. Megjithatë, në horizont duket një luftë e madhe brenda mazhorancës. Grupet kërkojnë të zgjerojnë kontrollin dhe të përgatiten për marrjen e kupolës së pushtetit, të cilën Edi Rama po shkon drejt dorëzimit.
Tirana do të jetë fusha kryesore ku do të shfaqen këto lëvizje. Zgjedhjet e ardhshme vendore pritet të përbëjnë një provë të rëndësishme për ekuilibrat brenda mazhorancës.
Koha kur Edi Rama luante prestidigjitatorin dhe nxirrte kandidatin si lepur nga kapelja duket se ka përfunduar. Grupet po ristrukturohen, klanet po organizohen dhe beteja pritet të jetë e ashpër. Duke parë edhe precedentët, nuk përjashtohet një përçarje e re, e ngjashme me shkëputjen që solli krijimin e LSI-së. (Pamfleti)