Kur bën moral dhe Grida Duma…
Nga Desada Metaj
Grida Duma e hapi mbrëmë “Top Story”-n me një monolog për Vlora Hysenin dhe skandalin e SHISH-it. Me atë tonin e saj të zakonshëm, gjysmë politikane, gjysmë gazetare, gjysmë blogere që shet paketa turistike dhe krem plazhi, ngriti pyetjen: e kujt është përgjegjësia?
Pyetje e mirë. Por shumë vonë dhe shumë komode, sidomos kur bëhet nga një studio që nuk ka qenë thjesht vëzhguese e pushtetit, por shpesh pjesë e skenografisë së tij.
Dikush duhet t’ia kujtojë Gridës se në emisionin e saj, Mirlinda Karçanaj, një grua me dosje të frikshme dhe me përgjegjësi publike që nuk mund të fshihet pas lotëve televizivë, u trajtua si viktimë e madhe. Jo si njeriu që duhej pyetur deri në fund për atë që ndodhi nën drejtimin e saj, por si personazh për të cilin studioja duhej të prodhonte dhimbje, keqardhje dhe një dramë të gatshme për konsum publik.
Dhe kjo nuk është kujtesa e vetme që mungoi në monologun e mbrëmshëm. Në po atë emision, Belinda Balluku mbretëroi në inaugurimin e tunelit të Llogarasë. Pikërisht në atë tunel që sot është përfshirë në dosjen e SPAK. Pikërisht në atë vepër ku propaganda, tenderët, paratë publike dhe pushteti u veshën me kamera, duartrokitje dhe solemnitet televiziv.
Tuneli u shit si triumf, ministrja si menaxhere e madhe, qeveria si makineri ndërtimi, ndërsa Grida dhe Balluku gati sa nuk e inauguruan në duet, njëra nga qeveria, tjetra nga studioja. Askush nuk dukej shumë i shqetësuar për atë që mund të fshihej pas betonit, faturave, tenderëve dhe ceremonive.
Sot, e njëjta studio kërkon përgjegjësi politike për SHISH-in. Sot pyet kush e kontrollon shtetin, kush e monitoron pushtetin, kush e mban barrën kur institucionet kalben nga brenda. Por kjo pyetje nuk mund të bëhet sikur vjen nga qielli. Sepse përgjegjësia nuk nis ditën që SPAK hap dosjen.
Përgjegjësia nis shumë më herët, kur pushteti normalizohet, kur ministrat trajtohen si personazhe të suksesshme, kur veprat publike kthehen në paradë personale dhe kur studiot shndërrohen në zgjatim të ceremonive qeveritare.
Kjo nuk është vetëm histori e “Top Story”-t. Është histori e shumë studiove shqiptare, ku pushteti hyn si protagonist, jo si i pyetur; ku ministri nuk thirret për t’u kontrolluar, por për t’u shfaqur; ku kryeministri trajtohet si autor i skenës, jo si njeri që duhet mbajtur nën llogari; ku propaganda merr formatin e debatit dhe ceremonia shitet si gazetari.
Pastaj, kur dosjet hapen, të gjithë bëhen të habitur. Të gjithë pyesin si ka mundësi. Të gjithë kërkojnë përgjegjësi morale, politike, institucionale. Por fajtorët nuk kanë punuar gjithmonë në errësirë. Shpesh kanë hyrë nga dera kryesore e ekraneve, kanë marrë kohë televizive, kanë marrë legjitimitet, kanë marrë buzëqeshje, kanë marrë heshtje, kanë marrë edhe atë lloj respekti artificial që vetëm televizioni di ta prodhojë për pushtetin.
Rasti i Vlora Hysenit është i rëndë dhe duhet hetuar deri në fund. Duhet parë kush e propozoi, kush e mbështeti, kush e mbrojti, kush heshti dhe kush përfitoi nga heshtja. Por të mos bëjmë sikur problemi fillon te Vlora dhe mbaron te Vlora. Problemi është te një sistem ku pushteti i prodhon personazhet, politika i përdor, media i lustron, drejtësia i kap me vonesë dhe pastaj të gjithë dalin në ekran me habinë e radhës.
Prandaj monologu i mbrëmshëm i Gridës nuk ishte vetëm një pyetje për SHISH-in. Ishte pa dashje edhe një kujtesë për mënyrën si funksionon ky vend: pushteti fillimisht kalon nëpër studio, fotografohet, zbukurohet, merr dekorin e suksesit dhe vetëm më pas, kur dalin dosjet, kthehet në objekt analize.
Ne shqiptarët mund të kemi shumë probleme me kujtesën, por jo aq sa të mos mbajmë mend çfarë ka ndodhur pak kohë më parë. Ndaj na e kurseni moralin e radhës. Bëni ndonjë video për të shitur produkte, paketa turistike a krem plazhi, se aty jeni më të natyrshëm. Dhe, me shumë gjasë, më shumë se gazetare, aty do të jeni blogeret e së ardhmes.