Plani djallëzor i Ramës me “çështjen Veliaj”
Nga Hysni Gurra
Pjesa e parë: Erion Veliaj shfrytëzoi një moment të vështirë politik të Edi Ramës për të përfituar lirinë. Me protestën nëpër këmbë. Me denoncimet e forta, me fakte, të Arben Ahmetajt, i cili e ka ekspozuar se nuk është një kryeministër, por mafioz.
Me pakënaqësitë e shtuara brenda kupolës së Rilindjes, Erion Veliaj nisi një ofensivë shantazhi për të dalë nga burgu përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë. Përdori mediat që i ka financuar ndër vite, larot e penës gjithashtu, dhe u hodh në sulm.
Pjesa e dytë: Edi Rama e mirëpriti sfidën dhe luajti në mënyrë perfekte rolin e njeriut të zënë ngushtë.
Lëshoi disa deklarata nga zyra e shtypit, por edhe vetë, drejtpërdrejt, ku linte hapur të kuptohej se ka një pakt me Veliajn dhe nuk do t’i bëhet më pengesë për të dalë nga qelia. Vuri në punë mediat e tij, larot e tij mediatikë dhe e bëri gati fakt të kryer lirimin. Madje, iu bashkua edhe festës së Sadushit në fshatin Vajzë, me qëllim që të linte të kuptohej se puna për nxjerrjen e Lalit ishte rregulluar me të gjithë aktorët.
Bile-bile, një ditë më parë la të qarkullojë një lajm se Apeli i GJKKO-së i ka pranuar kërkesën edhe Ilir Metës për të dalë nga kafazi. Këtu përhapi llafe në vesh të larove se kjo gjë do të bëhet paketë tani. Do dalë Lali, do dalë Meta, se nuk ka më kuptim, etj., etj. E hëngrën të gjithë.
Pjesa e tretë: Edi Rama është i pakonkurueshëm në hile dhe dinakëri. As në një cep të mendjes nuk e çon të nxjerrë Lali Erin nga burgu në një situatë të tillë.
Por, meqë ky i fundit e ndërmori vetë një revansh të tillë, dinaku vendosi të nxjerrë më të mirën nga kjo lëvizje. Të përfitojë maksimalen nga Lali edhe tani që i ka vënë prangat në duar. E mbylli lojën me Sadushin.
Pastaj e la Lalin që të ndërmarrë disa hapa që e fusin Bashkinë e Tiranës në ngërç. Për të pasur gati një alibi që i duhet për jetë a vdekje këto kohë. I duhet një rrugëdalje se si të zhbëjë protestën pa rënë shumë në sy.
Me SPAK-un nën hyqëm, me gjykatat e tjera po ashtu, ai tani do t’i futet luftës për të “zhbllokuar” ngërçin institucional të Bashkisë së Tiranës.
Duke qenë se herën e parë i hyri brutalisht, tani kërkon ta kopsisë mirë juridikisht dhe politikisht dhe ta nxjerrë si nevojë jetike çuarjen e Tiranës në zgjedhje të parakohshme.
Punë ditësh do të përpiqet që narrativa e ditës në media të jetë kjo. Kundërshtarët i ka paralizuar, se u turrën me vrap të bërtasin se Rama po nxjerr Veliajn nga burgu. Kjo nuk ndodhi dhe u thotë: “Qe, baba, duart”.
Ndërkombëtarëve, që kanë qejf këto burokracitë institucionale të leshit, u thotë: “Ja, drejtësia që mbështesni ju foli”. Tani unë s’mund ta lë kryeqytetin pa kryetar dhe ecën me planin hilanjos.
Mendojeni në këtë kulm të protestës të ketë zgjedhje në Tiranë. Çfarë dëmi i bën revolucionit të flamingove? Ia shkul puplat pa u kuptuar fare.
—Ai do përpiqet. A do t’ia dalë, të presim e të shohim.