Raporti sekret i CIA-s: Bin Laden dhe Al Qaeda do sulmonin Tiranën më 1998
Një dokument i deklasifikuar nga CIA mbi kërcënimin terrorist të Osama bin Ladenit përpara sulmeve të 11 shtatorit 2001 përmban një referencë të drejtpërdrejtë për Shqipërinë dhe përgatitjen e sulmeve në Tiranë.
Dokumenti i datës 28 gusht 1998, i titulluar “Bin Ladin Terrorist Network Still a Threat”, është pjesë e informacioneve të përditshme të inteligjencës që u paraqiteshin presidentëve të Shteteve të Bashkuara.
Në faqen 13 të paketës prej 101 faqesh të deklasifikuara, CIA shkruante: “Zyrtarët amerikanë kanë ndihmuar së fundmi në arrestimin e operativëve të Bin Ladenit që po përgatitnin sulme në Tiranë dhe, mundësisht, në Baku.”
Dokumenti ishte përgatitur vetëm tetë ditë pas sulmeve amerikane me raketa të 20 gushtit 1998 në Afganistan dhe Sudan.

Sipas vlerësimit të CIA-s, Bin Ladeni dhe drejtues të tjerë terroristë me bazë në Afganistan i kishin mbijetuar goditjeve amerikane dhe rrjeti i tyre i komunikimit kishte mbetur funksional.
“Bin Ladeni mund të mbështetet në një rrjet individësh dhe grupesh aleate në të paktën 60 vende për të kryer sulme”, thuhej në dokument.
CIA raportonte gjithashtu se, vetëm disa orë përpara sulmeve amerikane me raketa, Bin Ladeni po shqyrtonte mundësi për sulme të tjera kundër Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse nuk kishte përcaktuar objektiva apo afate konkrete.
Dokumentet e publikuara rishtazi mbulojnë periudhën nga shkurti 1998 deri më 12 shtator 2001 dhe tregojnë paralajmërimet e vazhdueshme që CIA u kishte përcjellë presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush për kërcënimin nga Bin Ladeni.
Një raport i shtatorit 1998 shkonte deri në paralajmërimin se mbështetësit e tij “mund të përplasnin një avion të mbushur me eksploziv në një qytet amerikan”, megjithëse CIA theksonte se nuk kishte informacion përfundimtar mbi planet e tij.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e cilësoi publikimin si “publikimin më të madh të vetëm të analizave të CIA-s lidhur me 11 Shtatorin”.