12 Shtator, 2026

Tragjedia me këngëtarin Giorgos Mazonakis nxit alarm mbi rreziqet e terapive “revolucionare” për rini të përhershme

 Tragjedia me këngëtarin Giorgos Mazonakis nxit alarm mbi rreziqet e terapive “revolucionare” për rini të përhershme

Vdekja e papritur e yllit të muzikës greke, Giorgos Mazonakis, më 9 shtator, ka hapur një debat të ashpër shkencor mbi sigurinë e procedurave estetike dhe mjekësisë rigjeneruese.

Arti grek u trondit pasi 52-vjeçari pësoi një arrest kardiak brenda një klinike private në zonën e elitare të Kolonakit, ku po kryente një trajtim të njohur si plazmaferezë.

Pavarësisht dërgimit me urgjencë në spitalin “Elpis”, përpjekjet e mjekëve për ta sjellë në jetë rezultuan të pamjaftueshme, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore pritet të zbardhë shkakun e plotë të ndalimit të zemrës.

Ngjarja ka vënë në lëvizje komunitetin shkencor në Greqi. Biologet dhe profesoreshat e njohura, Maria Gazouli dhe Maria (Maya) Roumpelaki, kanë reaguar ashpër ndaj mënyrës se si disa klinika reklamojnë me lehtësi trajtime “kundër plakjes” pa bazë të fortë provash.

“Shkenca kërkon transparencë, të dhëna konkrete dhe përgjegjësi, jo premtime të lehta apo krijim përshtypjesh te publiku,” deklaroi Gazouli, e cila shërben edhe si përfaqësuese në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA).

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të verifikojnë nëse çdo procedurë rigjeneruese është e certifikuar nga organet zyrtare të shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Shoqata Greke për Terapinë Gjenetike dhe Mjekësinë Rigjeneruese sqaroi se, ndonëse nuk mund të nxirren përfundime direkte për rastin e Mazonakis pa u mbyllur hetimet, ngjarja shërben si një thirrje zgjimi.

Institucioni kërkon kontroll më të rreptë dhe rregullim të menjëhershëm ligjor për sektorin e procedurave “anti-age”, për të shmangur aplikimin e terapive që nuk garantojnë sigurinë e pacientëve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *