EMRAT: Hakmarrja e egër, Veliaj pritet të shkarkojë njerëzit e Ballukut në Bashkinë e Tiranës
Erion Veliaj po përgatit një tjetër valë ndryshimesh në Bashkinë e Tiranës, pas revanshit që ka marrë këto ditë. Pas largimit të Anuela Ristanit dhe dorëheqjes së sekretarit të Përgjithshëm, kryebashkiaku u ka kërkuar dorëheqjen disa prej zyrtarëve më të lartë të institucionit, ndërsa në rast refuzimi pritet të firmosë vetë shkarkimin e tyre.
Burime të Vox News bëjnë me dije se brenda kësaj jave pritet një tjetër “shkundje” e fortë në Bashkinë e Tiranës.
Në krye të listës janë tre nënkryetarët Ilir Mengra, Blendi Sulaj dhe Gentian Keri, të cilëve Erion Veliaj u ka kërkuar të paraqesin dorëheqjen. E vetmja që do të vijojë të mbajë pozicionin e nënkryetares së Bashkisë, do të jetë Vasilika Vjero.
Deri tani nuk rezulton që ndonjëri prej tyre të ketë depozituar aktin formal të largimit.
Por burimet bëjnë me dije se Veliaj nuk ka ndërmend të tërhiqet. Nëse tre nënkryetarët refuzojnë të japin dorëheqjen, kryebashkiaku pritet të firmosë shkarkimin e tyre nga detyra.
Por ndryshimet nuk ndalen tek nënkryetarët.
Burime bëjnë me dije se mes zyrtarëve të tjerë që pritet t’u kërkohet largimi, ose të shkarkohen në rast se nuk pranojnë të dorëhiqen, janë edhe Erion Çaka, Daniel Demiri dhe Berta Piro.
Të tre konsiderohen si zyrtarë të afruar në Bashkinë e Tiranës gjatë periudhës së re të drejtimit të institucionit dhe janë emra të lidhur politikisht me ish zv.kryeministren Belinda Balluku.
Pozicionet që ata mbajnë janë ndër më të rëndësishmet në administratën e kryeqytetit.
Erion Çaka mban detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë Juridike, Aseteve dhe Licencimit, një strukturë kyçe për vendimmarrjen juridike, pronat dhe asetet e Bashkisë.
Daniel Demiri është drejtor Kabineti në Bashkinë e Tiranës, pra pjesë e strukturës që qëndron drejtpërdrejt pranë drejtimit politik të institucionit.
Ndërsa Berta Piro mban postin e dejtoreshës së Përgjithshme të Menaxhimit Financiar, një nga pozicionet më të rëndësishme për administrimin financiar dhe buxhetor të Bashkisë.
Nëse largohen edhe këta tre zyrtarë, ndryshimet nuk mund të konsiderohen më thjesht një rotacion administrativ. Ato prekin njëkohësisht drejtimin politik, kabinetin, financat dhe strukturën juridike të institucionit.