11 Shtator, 2026

Veliaj i shpall luftë Ramës nga burgu, “shkarkon” zv.kryetaren e besuar të kryeministrit

 Veliaj i shpall luftë Ramës nga burgu, “shkarkon” zv.kryetaren e besuar të kryeministrit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga qelia, ka vendosur t’i tërheqë Anuela Ristanit kompetencat që i kishte deleguar për drejtimin e institucionit.

Në arsyetimin e vendimit, ai thotë se arsyeja kryesore është se Ristani nuk po vepronte më në koordinim me të dhe, sipas tij, nuk po zbatonte urdhrat dhe vendimet e Kryetarit të Bashkisë.

Delegimi i kompetencave ishte bërë në shkurt të vitit 2025, në një periudhë kur kryebashkiaku nuk mund të ushtronte normalisht detyrën për shkak të arrestimit të tij. Sipas Veliajt, ky delegim ishte menduar vetëm si një masë e përkohshme për të garantuar funksionimin e Bashkisë.

Por, sipas kryebashkiakut, situata ka ndryshuar pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas tij, kanë konfirmuar vijimësinë e mandatit të tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Mandati i Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës ka vijuar juridikisht dhe është njohur si i tillë në dy vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vendimmarrja më e fundit e kësaj Gjykate ka eliminuar çdo paqartësi mbi vijimësinë dhe mbrojtjen kushtetuese të këtij mandati, si dhe mbi autoritetin që buron prej tij.

Pikërisht për shkak të natyrës së tij të përkohshme dhe derivative, delegimi i kompetencave mund të vijojë vetëm për aq kohë sa i shërben qëllimit për të cilin është dhënë dhe ushtrohet në respekt të autoritetit kushtetues dhe ligjor të organit delegues, pa u shndërruar në një burim autonom kompetence të shkëputur prej tij”, thuhet në vendim.

Në këto kushte, Veliaj argumenton se Ristani duhet të ushtronte kompetencat e deleguara nën autoritetin dhe në koordinim me Kryetarin e zgjedhur.

Në vendim thuhet se kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, pretendohet se ka pasur mungesë komunikimi dhe koordinimi, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë.

Pikërisht për këtë arsye, ai ka vendosur të tërheqë delegimin e kompetencave nga Anuela Ristani, duke argumentuar se nuk ekzistojnë më kushtet për vazhdimin e tij.

“Është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional, në moszbatimin e vendimeve gjyqësore, në moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit, si dhe në veprime dhe mosveprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë.

Kjo situatë ka kulmuar me refuzimin e autoritetit të Kryetarit të zgjedhur për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta dhe ligji ia njohin drejtpërdrejt, duke krijuar një gjendje institucionale në të cilën delegimi, në vend që të realizojë qëllimin e tij fillestar të garantimit të vijimësisë administrative, është shndërruar në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të organit delegues.

Këto rrethana, të marra së bashku dhe veçanërisht zhvillimet e fundit të sipërpërmendura, përbëjnë një ndryshim thelbësor të kushteve institucionale në të cilat delegimi është dhënë dhe e bëjnë vijimin e tij të papajtueshëm me nevojën për një zinxhir të qartë përgjegjësie, funksionimin normal të administratës dhe ushtrimin efektiv të mandatit të Kryetarit të zgjedhur, thuhet në vendim.

Vendimi i Veliajt shihet si një luftë e hapur ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi Ristani njihet si e besuara e tij.

Edhe më parë Veliajt ka tentuar shkarkimin e saj, por është ndaluar nga Rama.

Veliaj e shkarkoin Anuela Ristanin edhe në mars të 2025-s, por u tërhoq nga firma e tij pas presionit të Edi Ramës.

Tashmë pritet si do shkojë lufta mes tyre.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *