11 Shtator, 2026

Nata kur italianët menduan se kishte nisur “lufta” dhe FK Partizani mposhti Torinon!

 Nata kur italianët menduan se kishte nisur “lufta” dhe FK Partizani mposhti Torinon!

Më 18 shtator 1968, Partizani shkroi një nga faqet më të mëdha të futbollit shqiptar. Në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, përballë rreth 30 mijë tifozëve sipas arkivave të kohës, të ngjeshur si “sardele”, skuadra shqiptare mposhti 1-0 Torinon, fituesen e saposhpallur të Kupës së Italisë.

Ndeshja ishte pjesë e raundit të parë të Kupës së Kupave të Europës 1968-69 dhe përbënte debutimin e Partizanit në këtë kompeticion. Torino vinte në Tiranë me një skuadër shumë të fortë, ku bënin pjesë emra si Lido Vieri, Giorgio Ferrini, Nestor Combin dhe Emiliano Mondonico, ndërsa trajner ishte Edmondo Fabbri, ish-drejtues i kombëtares italiane.

Por përpara futbollit ndodhi një episod që i dha kësaj përballjeje një atmosferë edhe më të pazakontë. Natën para ndeshjes, një paradë ushtarake dhe sirenat e alarmit në Tiranë krijuan panik te delegacioni italian që qëndronte në hotel “Dajti”. Sipas dëshmive të mëvonshme të protagonistëve, disa prej italianëve menduan për një moment se situata kishte kaluar në konflikt të vërtetë.

Në fushë, megjithatë, “lufta” ishte vetëm sportive. Partizani zbriti me fanella të bardha, të siguruara posaçërisht për atë ndeshje, pasi Torino kërkoi të luante me fanellat e veta tradicionale ngjyrë “granata”. Trajneri Refik Resmja ndërtoi një skuadër të disiplinuar, ku spikatnin Mikel Janku, Mihal e Spiro Gjika, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Lin Shllaku, Neptun Bajko, Sabah Bizi dhe Panajot Pano.

Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa menjëherë pas pushimit erdhi momenti historik. Në minutën e 46-të, pas një aksioni të shpejtë, Pëllumb Shaqiri goditi me të majtën dhe mposhti portierin italian Lido Vieri. Partizani-Torino 1-0.

Një rol të rëndësishëm në aksion pati edhe Torez Çiraku, i cili hyri në fillim të pjesës së dytë në vend të Robert Jasharit. Vetë Çiraku ka treguar se pas hyrjes në fushë mori pjesë në aksionin që çoi te goli i Shaqirit.

Torino u përpoq të reagonte, por Partizani e ruajti epërsinë deri në fund. Pano pati edhe një rast të artë për ta dyfishuar rezultatin, por nuk arriti ta shfrytëzonte.

Kështu, një klub shqiptar regjistroi një fitore historike ndaj një skuadre italiane të nivelit të lartë; rezultat që edhe sot mbetet një nga sukseset më të rëndësishme europiane të Partizanit.

🇮🇹 Torino e përmbysi gjithçka në kthim. Dy javë më vonë, më 2 tetor 1968, në stadiumin “Comunale” të Torinos, vendasit fituan 3-1. Carelli, Facchin dhe Mondonico shënuan për italianët, ndërsa Neptun Bajko realizoi golin e Partizanit në minutën e 85-të. Torino kaloi më tej me rezultatin e përgjithshëm 3-2.

Megjithatë, eliminimi nuk e zbehu aspak madhështinë e asaj nate në Tiranë. Partizani kishte mposhtur Torinon 1-0 dhe kishte hyrë në historinë e futbollit shqiptar si skuadra që regjistroi fitoren e parë të një klubi shqiptar ndaj një kundërshtari italian në një përballje zyrtare europiane.

PARTIZANI-TORINO 1-0

Partizani: M. Janku (GK), M. Gjika, S. Gjika, T. Vaso, R. Rragami, L. Shllaku, N. Bajko, P. Shaqiri, S. Bizi, P. Pano, R. Jashari (Ciraku 46′)

Trajner: Refik Resmja

Torino: L. Vieri (GK), F. Poletti, N. Fossati, G. Puia, N. Cereser, e. Bolchi, A. Carelli, (G. Mondonico 30`) G. Ferrini, G. Baisi, G. Moschino, P. Facchin (P. Corni 56′)

Trajner: Edmundo Fabbri

18 shtator 1968. “Qemal Stafa”. Partizani-Torino 1-0. Goli i Pëllumb Shaqiri. Një natë që nuk u harrua kurrë…

Harilla J. Marku

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *