11 Shtator, 2026

Fletërrufeja që tronditi sistemin komunist, revolta e Laçit që sfidoi pushtetin e kohës

 Fletërrufeja që tronditi sistemin komunist, revolta e Laçit që sfidoi pushtetin e kohës

Për futbollin shqiptar të viteve ’80, historia e Industrialit të Laçit nuk është vetëm një histori sporti. Është edhe një histori përplasjesh, padrejtësish, revoltash dhe episodesh të pazakonta, të cilat sot, pas gati 5 dekadash, duken thuajse të pabesueshme.

Një prej dëshmitarëve dhe protagonistëve të asaj kohe është Ndue Tarazhi, figurë shumëdimensionale e sportit kurbinas, trajner, drejtues dhe një prej njerëzve që e jetuan nga afër periudhën kur futbolli i Laçit përballej jo vetëm me kundërshtarët në fushë, por edhe me vendime që vinin nga zyrat e pushtetit.

Një prej episodeve më të jashtëzakonshme ishte vendosja në qendër të Tiranës e një fletërrufeje kundër Manush Myftiut, zv.kryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike. Një akt i paprecedentë për kohën, që u ndërmor nga një grup sportdashësish të revoltuar pas vendimit për t’i hequr pikë ekipit të Industrialit të Laçit.

Tarazhi kujton se revolta nisi nga pakënaqësia e madhe e tifozëve, të cilët prisnin një ndryshim të vendimit që kishte goditur skuadrën: “Nisur nga tifozëria e zjarrtë, që pas asaj dite ngrysej e gdhihej vetëm me një merak: “A do t’i faleshin Laçit pikët e hequra?’ Lajmet që vinin, ishin nga më kontradiktoret dhe kur shpresat e tifozërisë laçiane për një “amnisti” të ekipit të tyre po shuheshin, u gjet dhe u provua edhe një mjet presioni. Kur e pamë se nuk kishim rrugë tjetër, vendosëm t’i vinim një fletërrufe Manush Myftiut në Tiranë, zv.kryeministër, të cilin laçianët e konsideronin si njeriu që kishte urdhëruar dhe miratuar dënimin e skuadrës së futbollit dhe hequr pikët. Të revoltuar, ata u shprehën për t’i vënë në mes të Tiranës fletërrufe Manush Myftiut”.

Ideja nuk lindi rastësisht. Sipas Tarazhit, ajo erdhi nga basketbollisti asokohe Dashnor Kaloçi, i njohur në kohët e demokracisë si gazetar special mbi arkivat e së kaluarës, dhe shumë shpejt u shndërrua në një aksion të përbashkët të disa figurave të sportit kurbinas:

“Idenë për të shkruar atë fletërrufe na e dha Dashnor Kaloçi (basketbollist me Kastriotin). Pasi ramë dakord, kemi shkuar te shtëpia ime për ta shkruar. Përveç Kaloçit, aty me ne ishin edhe Artur Nuredini (po basketbollist me Kastriotin), Sokrat Zhango (futbollisti më i mirë i Laçit dhe Krujës), Azem Çoku, që e kisha komshi, Petrit Bardhi (trajneri i basketbollit), si dhe Pal Arapi, punëtori i fushës, por edhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kaloçi me Artur Nuredinin kishin sjellë kartonin dhe penelat me të cilat do të shkruhej fletërrufeja. Pasi kishim bërë njëfarë formulimi, se si do të ishte përmbajtja e fletërrufesë, kush një fjalë dhe kush një tjetër, Kaloçi e hapi kartonin në dyshemenë e dhomës dhe u ul në gjunjë duke shkruar. Atij i vinte dore edhe për pikturë. Me thënë të drejtën, patëm frikë fillimisht dhe i thashë: “Or Kaloç, a thu do të na fusin në burg pse po dalim kundër vendimit të Partisë”? Por ai m’u përgjigj: ‘Profesor Tarazhi, nuk na fut njeri në burg, se ne prapë me Partinë jemi dhe nuk po kërkojmë gjë tjetër, vetëm sportin që na e ka dhënë Enver Hoxha’.

Pikërisht frika nga pasojat e bënte edhe më të pazakontë këtë veprim. Në një sistem ku një kritikë ndaj një drejtuesi të lartë mund të kishte pasoja të rënda, grupi vendosi ta çonte deri në fund:

“Sigurisht që nuk ishte e lehtë t’i drejtoje fletërrufe një udhëheqësi të lartë, siç ishte Manush Myftiu. Kujtoj se Kaloçi vuri një fjali ku thoshte: ‘Sportin që na e ka dhënë Enver Hoxha, nuk mund të na e heqë askush tjetër’, thjesht edhe për të na qetësuar ne. Kaloçi ishte djalë i zgjuar, lexonte shumë dhe pothuaj i gjithë teksti i fletërrufesë u formulua prej tij, por gjithnjë duke marrë edhe miratimin tonë”.

Fletërrufeja u shkrua pasditen e një dite dhe të nesërmen, me trenin e parë, Tarazhi dhe dy shokët e tij u nisën drejt Tiranës. Objektivi ishte qendra e kryeqytetit:

“Ka qenë pasdite kur e mbaruam fletërrufenë dhe të nesërmen, me trenin e parë që nisej herët në mëngjes, shkuam në Tiranë dhe e vendosëm në tabelën e ‘Zërit të Masave’, në qendër të kryeqytetit, pranë Bankës, tek ish-stacioni autobusit ku ka qenë edhe një termometër. E kam vënë unë me duart e mia. Ishim tre shokë, paradite ka qenë. Pasi e vendosëm u larguam menjëherë. Por pamë që njerëzit filluan të grumbullohen e ta lexojnë. Fletërrufeja nuk qëndroi gjatë, madje vetëm disa minuta, sepse e hoqën. Nuk i njihnim ata që e hoqën, por thuhej se e hoqi Sigurimi i Shtetit. Na erdhi shumë keq, u mërzitëm shumë, por luftë me qeverinë nuk bënim dot”.

Aksioni zgjati vetëm pak minuta. Fletërrufeja u hoq dhe grupi u kthye në Laç, ku tifozët prisnin të dinin çfarë kishte ndodhur:

“Kështu u detyruam dhe u kthyem në Laç. Kur kaluam para ‘Trekëndëshit’, ku mblidheshin gjithë tifozët, që mezi na prisnin, të parin takova Kaloçin, që më tha: ‘Hë profesor Tarazhi, si shkoi’? E hoqën horrat mor burrë për shtatë minuta, nuk na e lanë më shumë, i thashë unë. I kujtoj si tani këto fjalë që ua kam thënë gjithë atyre tifozëve, të cilët ishin mbledhur dhe na prisnin ne aty. Kështu u mbyll kjo punë. Për fletërrufenë na thirrën deri në Krujë, në Klubin Sportiv, prej nga vareshim ne në atë kohë edhe si Komitet Partie dhe Ekzekutiv, por nuk patëm pasoja”.

Por kjo nuk ishte e vetmja përplasje e Industrialit të Laçit me autoritetet dhe strukturat sportive të kohës.

Një vit më vonë, në kampionatin 1986-1987 të Kategorisë së Tretë, Industriali ishte sërish në garë për kreun e grupit. Laçianët kryesonin me një pikë, ndërsa rival ishte Veleçiku i Koplikut:

“Po, është e vërtetë. Ka qenë kampionati pasardhës i vitit 1986-1987, i Kategorisë së Tretë. Në grupin tonë ne pretendonim vendin e parë. Industrialit të Laçit, lojtarët më të mirë ia merrte Kruja dhe Veleçiku i Koplikut. Kishim lojtarë shkodranë (si vëllezërit Gruda), pra ishim si të ishte një Vllaznia nr. 2. Ne kryesonim me një pikë dhe dy javë më parë i kishim mundur 1-0 në Laç. Atë të diel ne luanim në Pukë me Tërbunin vendës, ndërsa Veleçiku në Rrëshen, ndeshje që u mbyllën në barazim 1-1 dhe 2-2”.

Në Pukë, ndeshja mori një tjetër rrjedhë. Përplasja mes tifozëve dhe lojtarëve u shoqërua me ndërhyrje të policisë dhe arrestime:

“Pas përfundimit të ndeshjes, që, siç ju thashë, përfundoi në barazim, e provokuar jo nga ne, sepse nuk kishim asnjë interes, përkundrazi, u shfrytëzua një situatë e nisur nga tifozët vendës që i fyenin lojtarët tanë, i goditën me gurë. Siç ndodhte zakonisht në ato ndeshje. Por me ne ishin edhe disa tifozë tanët, pra laçianë, të cilët reaguan. Ndërkohë, policia kapi Sabah Micin prej flokësh, e tërhoqi me forcë me mendimin për ta arrestuar, e bashkë me të edhe Nikoll Nokën, kapitenin e skuadrës”.

Sipas Tarazhit, situata u tensionua edhe më tej kur një polic nga Kurbini ndërhyri për të mbrojtur futbollistët:

“Kapi këta, me pretekstin se kishin fyer publikun. Në njëfare mënyre edhe për të na diskredituar: ‘Ja kush është Industriali, ekipi laçian që pretendon të futet në Kategorinë e Dytë’. Në këtë situatë, aty u ndodh një polic kurbinas, i cili pasi debatoi ashpër, nxori revolen dhe i kërcënoi dy policët vendës, që e mbanin fort Sabah Micin. Të detyruar edhe nga frika, ata e lanë të lirë. Ndërsa Nikolla ishte pak më larg, por atë e morën dhe e shoqëruan në polici. U bë zhurmë, skuadra jonë nuk largohej, njerëzit rrinin te sheshi para policisë. Hysni Beti, një jurist në Degën e Brendshme të Pukës, laçian, ish-nxënësi im, u mundua ta lironte, por nuk mundi të bëjë asgjë, nuk e pyeti njeri. Në atë periudhë, vitet 1985-1990, Puka kishte një polici, prokurori, tmerr i vërtetë”.

Tensioni nuk u mbyll me arrestimin e futbollistëve. Në qendër të qytetit, një shashkë zhurmuese ndezi sërish situatën:

“Siç ju thashë, me ne ishin edhe disa tifozë të acaruar nga situata e krijuar. Njëri prej tyre, Bep Shehu, djalë i ri, hodhi një shashkë zhurmuese që plasi në qendër të qytetit. Nga zhurma që krijoi, e kapën menjëherë dhe i thanë: ‘E ke hedhur me dashje, qëllimisht, përpara Komitetit të Partisë’, kështu e akuzuan. Në atë shesh të vogël, ishin pranë si Komiteti Ekzekutiv, ai i Partisë, por dhe shumë dyqane, siç ishin kudo në qytetet e vogla në atë kohë”.

Pas kësaj, situata u rëndua për Nikoll Nokën, kapitenin e Industrialit:

“Bashkë me Bep Shehun arrestohet edhe Nikoll Noka. Nisur nga kjo situatë, unë atë natë qëndrova aty, ndërsa skuadra u largua, u kthye në Laç. Të nesërmen, lojtarët duhet të paraqiteshin në ndërmarrjet ku punonin. Hysni Beti m’u lut: ‘Nisu profesor Tarazhi, shko në Laç se do të merrem unë me këtë punë’. Por unë nuk mund të ikja në Laç, kur lojtarin kryesor ma mbajtën aty. Të nesërmen, në procesverbalin që u shkrua në polici, thuhej se ekipi i Industrialit ka në përbërje elementë të rrezikshëm. Akuzuan Nikollën për ‘fyerje të publikut sportdashës pukjan’ dhe se shashka ishte hedhur qëllimisht për të prishur rendin e qetësinë, dhe me faktin se ato ishin të ndaluara. Me shpresën për t’i marrë edhe mëngjesin e ditës tjetër, ndenjëm aty. Por Nikollës i kishin dhënë një letër bosh për ta firmosur, me pretekstin që do të dalësh. Nikolla, si djalë shumë i sinqertë dhe pa hile, i sigurt se nuk do të kishte pabesi, e nënshkroi. Por, aty, ata i shkruan më pas akuzën, duke e dënuar me burg, 9 muaj në mos gaboj. Zhurma ishte e madhe nga ne, por nuk patëm çfarë të bënim, nuk bënim dot luftë me qeverinë”.

Pas incidentit në Pukë, pasojat mbërritën edhe në planin sportiv. Industriali u ndëshkua nga Komisioni i Disiplinës dhe humbi pikët, duke i hapur rrugën Veleçikut drejt vendit të parë: “Komisioni i Disiplinës në federatë na hoqi pikët, me motivin: ‘Për sjellje, veprime antisportive, sjellje e shfaqje të huaja të futbollistëve, etj. Kështu, Kopliku doli i pari në grup. Në Laç u krijua tension nga qytetarët, familjarët, për padrejtësinë që na ishte bërë. Por kaq, nuk kishim çfarë të bënim më shumë. Kështu kemi vuajtur ne me ekipin e Laçit, nga padrejtësitë që na bëheshin dhe menjëherë në vitin 1991 me ndërrimin e sistemit ne u shkëputëm nga Kruja dhe dolëm në Kategorinë e Parë. Madje, siç dihet, ekipi i Laçit me bazën e atij ekipi që hodhëm ne në vitet ‘80, konkurroi denjësisht në Kategorinë e Parë (sot Kategoria Superiore) dhe mori pjesë denjësisht në disa edicione në Kupat e Europës”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *