Rama nxjerr videon e sherrit me gazetarin në Vuno: Më shau gruan dhe djalin, si rrugaç
Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë videon e përplasjes me gazetarin Arian Konomi në Vuno.
Ai thotë se e vërteta është krejt ndryshe nga sa thotë Konomi.
Sipas Ramës, gazetari ka ofenduar gruan e tij, Linda Rama, bashkë me të birin.
“JA QË PËR FAT TË MIRË KA EDHE NJË VIDEO TJETËR, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar.
Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”, shkruan Rama.