11 Shtator, 2026

Çmimet plako, çmimet

 Çmimet plako, çmimet

Nga Elton Dusha

Në një shkrim para disa muajsh në këtë revistë u mundova të shpjegoj një nga arsyet për të cilat protestat në Tiranë filluan më në fund, mbas kaq vitesh keq-qeverisje dhe korrupsion. Një nga arsyet kryesore është paqartësia e ligjit të pronave dhe mungesa e pronësisë mbas 36 vjetësh demokraci. Ky është një dështim kolosal i shtetit të së drejtës, dhe, ndërsa ligji për investimin strategjik uzurpon të drejtën e banorëve që kanë jetuar në tokën e tyre me dekada, konflikti midis shtetit dhe qytetarit rritet. Megjithatë, kjo arsye, në izolim, nuk e shpjegon dot lodhjen me politikën dhe inatin masiv që shihet në protesta.

Ndonëse çështja e pronave është shumë e rëndësishme për një pjesë dërrmuese të qytetarëve, zakonisht protesta të këtij lloji fillojnë kur kushtet ekonomike përkeqësohen mjaftueshëm për një pjesë të madhe të shoqërisë. Ndonëse shprehja e pakënaqësisë është politike, arsyet thelbësore janë ekonomike. Në rastin e Shqipërisë, niveli i çmimeve e ka bërë vendin të papërballueshëm nga qytetari mesatar. Kjo është diçka që ndihet në jetën e përditshme, po një krahasim statistikor me vendet e rajonit dhe më tej do të ishte i dobishëm për të parë sa e shtrenjtë është Shqipëria me të vërtetë.

Le ta fillojmë me një krahasim të thjeshtë nga Eurostati. Dy kolona: e para është niveli i përgjithshëm i çmimeve si përqindje e mesatares së BE-27; e dyta është PBB-ja nominale për frymë si përqindje e mesatares së BE-27. Shqipëria ka nivel të përgjithshëm çmimesh 72.6% të mesatares së BE-së dhe PBB nominale për frymë 27.7%. Të ardhurat reale të Shqipërisë janë tejet të ulta për nivelin e çmimeve.

Niveli i çmimeve dhe PBB nominale për frymë
2025; BE-27 = 100
Vendi Niveli i çmimeve PBB/frymë nominale (BE-27 = 100)
Bosnja dhe Hercegovina 59.2 20.4
Shqipëria 72.6 27.7
Maqedonia e Veriut 54.8 22.3
Mali i Zi 66.1 31.5
Serbia 68.0 32.5
Bullgaria 62.5 43.4
Hungaria 77.5 55.2
Kroacia 78.4 57.5
Rumania 65.1 47.9
Polonia 73.3 59.3
PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. PLI-të janë tregues krahasues dhe nuk synojnë renditje strikte të vendeve.

Le të fokusohemi pak më shumë tek çmimet e ushqimeve, se ato janë çmimet që dhembin më shumë sepse janë të përditshme. Tabela që vijon është e njëjta gjë si më sipër: sa pë rqind të çmimeve ushqimore europiane janë çmimet tona, sa për qind të të ardhurave europiane kemi ne dhe raporti. Në mallra ushqimore Shqipëria është dhe më e papërballueshme, me 103.8% të çmimeve europiane, dhe me 27.7% të të ardhurave.

Kush e ka ushqimin më të shtrenjtë kundrejt të ardhurave
Ushqim dhe pije joalkoolike, 2025; BE-27 = 100
Vendi Niveli i çmimeve të ushqimit PBB/frymë nominale (BE-27 = 100) Raporti
Bosnja dhe Hercegovina 85.8 20.4 4.21
Shqipëria 103.8 27.7 3.75
Maqedonia e Veriut 74.8 22.3 3.35
Serbia 97.1 32.5 2.99
Mali i Zi 86.5 31.5 2.75
Bullgaria 92.6 43.4 2.14
Kroacia 105.5 57.5 1.83
Hungaria 95.2 55.2 1.72
Rumania 79.8 47.9 1.67
Polonia 89.5 59.3 1.51
PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara.. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara. PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara.

Një nga arsyet (jo kryesorja) që ushqimet janë shumë të shtrenjta në Shqipëri është se taksohen në 20%. Përveç Bullgarisë, vendet e tjera e taksojnë shumë më pak.

Çmimet e ushqimit
Indeksi i ushqimit dhe TVSH-ja për ushqime, 2025
Vendi Indeksi i ushqimit (BE-27 = 100) TVSH për ushqime
Bosnja dhe Hercegovina 85.8 17%
Shqipëria 103.8 20%
Maqedonia e Veriut 74.8 5%
Serbia 97.1 10%
Mali i Zi 86.5 7%
Bullgaria 92.6 20%
Kroacia 105.5 5% / 13%
Hungaria 95.2 5% / 18% / 27%
Rumania 79.8 9% → 11% (nga 1 gusht 2025)
Polonia 89.5 5% (shumica)
TVSH-ja për ushqime ndryshon sipas produktit; prandaj kjo kolonë jep normën kryesore ose intervalin, jo një mesatare të ponderuar të shportës.

Kjo është politikë tejet regresive sepse Shqipëria harxhon më shumë si përqindje e konsumit total në ushqim se çdo vend tjetër në listë. Sidomos për më të varfrit, që harxhojnë pjesën më të madhe në ushqim.

Sa e madhe është pesha e ushqimit në shpenzimet familjare
Ushqim dhe pije joalkoolike si pjesë e konsumit final të familjeve, 2025
Vendi Pjesa e shpenzimeve për ushqim
Shqipëria 31.8%
Bosnja dhe Hercegovina 31.3%
Maqedonia e Veriut 31.1%
Mali i Zi 28.1%
Serbia 23.4%
Rumania 22.7%
Kroacia 22.3%
Bullgaria 20.9%
Polonia 18.2%
Hungaria 17.4%
Llogaritja: shpenzimet nominale për ushqim dhe pije joalkoolike / konsumi final nominal i familjeve.

Një nga problemet kryesore të këtyre krahasimeve është se euro ka rënë ndjeshëm kundrejt lekut. Kur çmimet shqiptare shndërrohen në euro, një lek më i fortë i bën ato të duken më të larta në krahasim me vendet e tjera, edhe nëse çmimet në lekë nuk janë rritur në të njëjtën masë. Kjo do të thotë se një pjesë e nivelit të lartë të çmimeve të shprehur në euro mund të vijë nga kursi i këmbimit, jo vetëm nga çmimet vendase.

Por tabela që vijon shmang pikërisht këtë problem. Ajo e përshtat pagën me fuqinë blerëse të ushqimit: paga dhe çmimet e ushqimit maten fillimisht në monedhën vendase, prandaj kursi i këmbimit anulohet. Me fjalë të tjera, ajo nuk thotë sa euro vlen paga shqiptare, por sa ushqim mund të blejë ajo pagë në krahasim me pagat në vendet e tjera. Edhe me këtë masë, Shqipëria del e fundit në listë. Paga mesatare Shqiptare blen më pak se çdo vend tjetër.

Sa ushqim mund të blejë paga
Paga mesatare bruto mujore e përshtatur me PPP-në e ushqimit, 2025
Vendi Paga bruto mujore (€) Indeksi i ushqimit (BE-27 = 100) Pagë e përshtatur për ushqim (PPS)
Polonia 2,100 89.5 2,346
Rumania 1,806 79.8 2,264
Kroacia 2,016 105.5 1,911
Hungaria 1,772 95.2 1,862
Maqedonia e Veriut 1,102 74.8 1,473
Bosnja dhe Hercegovina 1,246 85.8 1,452
Bullgaria 1,331 92.6 1,437
Mali i Zi 1,206 86.5 1,394
Serbia 1,289 97.1 1,328
Shqipëria 857 103.8 826
Formula: paga bruto mujore në monedhë vendase / PPP-ja e ushqimit. Në tabelë është e barasvlershme me paga në € × 100 / indeksi i ushqimit; kështu kursi i këmbimit anulohet. Vlerat e përshtatura llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara.

Paga reale (paga e pjesëtuar me nivelin e përgjithshëm të çmimeve) Shqiptare është më e ulëta në listë.

Po banesat? Këtu Shqipëria vazhdon të jetë më e papërballueshmja, duke zënë vendin e parë në listë. Te grafiku i banesave, efekti i kursit shkon në drejtim të kundërt. Çmimet e banesave jepen në euro; një lek më i fortë e rrit vlerën në euro të pagës shqiptare dhe, rrjedhimisht, e ul numrin e pagave vjetore të nevojshme për blerje. Pra, kursi aktual e bën banesën të duket më e përballueshme, jo më pak e përballueshme. Rezultati i dobët i Shqipërisë në këtë grafik nuk shpjegohet nga dobësimi i euros; përkundrazi, kursi e zbut atë.

Si përmbledhje; Shqipëria është tërësisht e papërballueshme për një qytetar mesatar. Shumica e njerëzve që ngrihen në protestë e bëjnë këtë sepse u ka ardhur thika në kockë, nuk kanë ç’të bëjnë më. Fëmijët u ikin se nuk e përballojnë dot Shqipërinë me rrogat e tregut, dhe ata vetë jetojnë çalë çalë me pensionet që mezi u dalin. Këto 5 vitet e fundit e kanë bërë Shqipërinë vend ku mund të jetojë vetëm dikush që ka të ardhura europiane, për të tjerët Shqipëria ka rroga shqiptare me çmime gjermane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *