Saranda, muzeu i gjallë i budallallëkut dhe ligësisë shqiptare
Nga Stefan Çapaliku
Isha në Sarandë, në muzeun e gjallë të budallallëkut dhe ligësisë shqiptare.
Vizitova shembullin më të shëmtuar të rezultatit material dhe shpirtëror të tranzicionit shqiptar.
Vertetova për të satën herë se Saranda është “shkolla” më e famshme në botë e sjelljes brutale ndaj natyrës.
Ne kemi lexuar mjaft për të kuptuar sesi shqiptarët janë sjellur me shqiptarët e tjerë gjatë hetuesive dhe torturave, sepse viktimat kanë dëshmuar, dhe padyshim që na është skuqur faqja që jemi pjesë e kësaj race, por ne as nuk i kemi degjuar dhe as nuk i kemi lexuar, madje as edhe përfytyruar dëshmitë e natyrës kundër sjelljeve shtazore të shqiptarëve “të lirë”, që ia dolën të shkatërronin gjithçka dhe ta shpallnin masakrën e tyre si një vepër monstruoze kundër detit, kodrës, pemëve, nëntokës, historisë.
Tashti në Sarandë ka mbetur për t’u ndërtuar një fabrikë e madhe dhe krenare tritoli, që do mund ta hidhte në erë gjithë atë masë betoni dhe ta çlironte edhe njëherë atë amfiteatër të madh e të mrekullueshëm…
Dhe mos e merrni për lojë…