Bodyguardi, Spiro dhe shefi i Komisariatit të Sarandës, Feliks Hodaj
Nga Naim Noka
E kam ndjekur me detaje ngjarjen e shefit të Krimeve në klubin “Orange” të Spiros dhe, të jem krejt i sinqertë, e mbështes pa ekuivok policinë në këtë rast, sepse, e para, nuk mundet askush të vërë dorë mbi policinë. Le ta zbardhë AMP-ja, me Prokurorinë dhe Gjykatën, ngjarjen e klubit të Spiros. Ky i fundit mendon se problemet zgjidhen me bodyguardë, sepse i ka përzgjedhur nga RENEA apo punonjës policie pas orarit zyrtar.
Spiro nuk e kuptoi se Zvërneci, kompania e sigurisë private Mayor Security dhe Myrto u shkrinë, madje edhe u burgosën ca cuba të kësaj kompanie që tërhoqën zvarrë qytetarin.
Kompania e sigurisë Elite, përgjegjëse për mbarëvajtjen e aktivitetit të Orange Club në Sarandë, nuk bëri as më pak e as më shumë se Mayor Security dhe Myrto, duke mbushur kronikat me dhunë ndaj qytetarëve dhe turistëve.
Bodyguardët e Spiros nuk u mjaftuan me qytetarët dhe klientët, por i futën një dru edhe shefit të Krimeve të Sarandës.
Garipat e Elite Security, që ishin edhe punonjës policie, që kishin provuar me sukses prej kohësh të dhunonin gjithkënd, dhunuan edhe shefin e Krimeve në Sarandë, Mateo Bakalli, pasi ky i fundit nuk i lejoi të dhunonin një turist të huaj. E gjithë ngjarja dhe faktet tashmë i ka Prokuroria dhe Gjykata, por pyetja ime, pasi dëgjova intervistën e Spiros, që akuzoi hapur, me zë dhe figurë, se “Feliks Hodaj më ka kërkuar gjobë”, është: kush gënjen dhe përse ky Feliksi nuk shkon në Prokurori dhe ta sfidojë publikisht dhe ligjërisht për faktet?
Ose Spiro, ose Feliksi? Të dy kanë të vërtetat e tyre, por nuk është normale, madje është skandaloze, të bësh një akuzë të tillë në media. Ndaj ose Spiro, ose Feliksi duhet ta sqarojnë me drejtësinë këtë akuzë dhe të tjerat. Policia ka mjaft mëkate, sidomos në Sarandë, por jo të gjithë shefat janë si Bashllari. Apo ky i fundit nuk i kishte vënë “gjoba” Spiros?
Edhe vetë Spiro duhet ta ndihmojë policinë dhe të jetë bashkëpunues dhe jo të mbështetet te muskujt e bodyguardëve. A nuk ishte Sokrat Vata i Elite Security, bashkë me një tjetër efektiv policie, që u përfshinë në konflikt dhe masakruan të riun portugez dhe e lanë të vdekur? Po të njëjtët ishin përfshirë edhe në sherrin e Orange Club.
Në fakt, Policia e Shtetit duhet të bëjë check-up të të gjitha kompanive që të ndalojë punësimin e policëve dhe individëve me histori kriminale apo të fortëve të lagjeve.
I bëj thirrje kreut të Policisë së Shtetit të vërë dorë urgjentisht te kompanitë e sigurisë dhe të zbatohen me rreptësinë më të madhe ligji dhe kriteret. Sepse po bëhemi gazi i botës me “shtetin e bodyguardëve”.