11 Shtator, 2026

Rama mbron Zelenskyn pas deklaratës se Ukraina s’do e njohë kurrë Kosovën

 Rama mbron Zelenskyn pas deklaratës se Ukraina s’do e njohë kurrë Kosovën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas deklaratave të bëra nga presidenti dhe miku i tij, Volodymyr Zelensky, i cili pak ditë më parë nga Beogradi dha një mesazh të qartë se Ukraina do të vazhdojë të mos e njohë Kosovën.

Kjo deklaratë e tij solli një sërë reagimesh në Kosovë e Shqipëri, ku të shumtë ishin ata të cilët kundërshtuan me forcë këtë qëndrim të presidentin ukrainas, në një kohë kur vetë vendi i tij është duke luftuar për liri.

Përmes një postimi në platformën “X”, kreu i qeverisë shqiptare duke mos justifikuar këtë deklaratë të mikut të tij Zelensky, i ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që “shpërthyen” në akuza  dhe e shënjestruan atë, përfshirë këtu dhe protestuesit të cilët një ditë më parë po brohorisnin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër Ukrainës.

Përballë këtyre zhvillimeve, Rama ka bërë të qartë se qëndrimi i Shqipërisë ndaj luftës në Ukrainë nuk kushtëzohet nga pozicioni i Kievit për Kosovën.

Sipas kryeministrit, Ukraina mund të jetë gabim në çështjen e Kosovës, por kjo nuk ndryshon mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e saj për liri dhe përballjen me agresionin rus. Rama thekson se mbështetja ndaj një vendi të sulmuar nuk është një marrëdhënie shkëmbimi, ku një qëndrim i kundërt sjell automatikisht tërheqjen e mbështetjes.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, gabon për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Evropën dhe për veten tonë gjithashtu. Këto të vërteta mund të gjenden shumë mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e rritur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja. Pra, po: UKRAINA E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë”, thekson kreu i qeverisë, duke theksuar kështu se Shqipëria mund të mbajë njëkohësisht dy qëndrime, të kundërshtojë mosnjohjen e Kosovën nga Ukraina dhe në të njëjtën kohë të vijojë të mbështesë Ukrainën përballë agresionit rus.

Postimi i plotë:

Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zhurmshëm në Tiranë dhe në Prishtinë po merrnin tashmë kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së brohorituri për të lirët dhe të vajtuarit për të bombarduarit.

Më të pamaturit midis tyre na hodhën gurë që nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë! Çfarë turpi të harrojmë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me para në dorë.

Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe për një paqe të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një nder i shkëmbyer për një nder, por është kush je dhe çfarë përfaqëson në këtë botë të rrëmujshme.

Dhe për fat të mirë Shqipëria nuk është një njeri i vogël që llogarit se kush i detyrohet kujt, por Evropa e Ballkanit që tregon rrugën përmes besimit të saj në liri, demokraci dhe paqe, dhe përmes forcës së shembullit të saj.

Ukraina mund të jetë, dhe po, gabon për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Evropën dhe për veten tonë gjithashtu.

Këto të vërteta mund të gjenden shumë mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e rritur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja. Pra, po: UKRAINA E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *