Dronët ukrainas “asgjësojnë” brigadën amerikane
Operatorët ukrainas të dronëve arritën të “eliminonin” një brigadë të blinduar të Shteteve të Bashkuara gjatë një stërvitjeje ushtarake në Gjermani, raporton Wall Street Journal.
Stërvitja “Combined Resolve”, e zhvilluar në prill dhe maj, vuri përballë trupat e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me operatorët ukrainas të dronëve.
Sipas personave të njohur me zhvillimet, të cituar nga gazeta, njësitë ukrainase lokalizuan dhe neutralizuan me lehtësi në simulim trupat dhe mjetet e blinduara amerikane.
Rreth 3 mijë e 500 ushtarakë amerikanë morën pjesë në stërvitje, kryesisht nga Brigada e 3-të e Blinduar e Divizionit të Parë të Kalorësisë. Përballë tyre ishin forcat kundërshtare të stërvitjes, të përforcuara nga operatorët e Regjimentit të 412-të ukrainas të Sistemeve Pa Pilot, “Nemesis”.
Sipas raportimit, mjetet e rënda të blinduara amerikane ngritën sasi të mëdha pluhuri gjatë lëvizjes, duke u bërë lehtësisht të dallueshme nga dronët ukrainas të zbulimit.
Pas identifikimit të objektivave, ukrainasit përdorën dronë që simulonin hedhjen e eksplozivëve dhe dronë FPV, të cilët në kushte reale luftarake përplasen drejtpërdrejt me objektivin.
“Operatorët ukrainas të dronëve eliminuan një brigadë të blinduar amerikane gjatë stërvitjes”, raportoi Wall Street Journal, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë të informuar mbi zhvillimet dhe një pjesëmarrësi.
Goditjet e simuluara ishin aq të shpejta sa, sipas një zyrtari amerikan, mjetet e “eliminuara” duhej të riktheheshin në lojë si njësi të reja, në mënyrë që stërvitja të mund të vazhdonte.
Megjithatë, performanca amerikane u përmirësua gjatë dy javëve të simulimit. Trupat nisën të shpërndaheshin dhe të kamufloheshin më mirë, si dhe të përdornin në mënyrë më efikase luftën elektronike.
Në mesin e stërvitjes, ukrainasit ndërruan krah dhe ndihmuan amerikanët të përdornin dronët në operacione sulmuese.