11 Shtator, 2026

Saranda në kaos, dy ministra dhe shefi i Policisë kujtohen të shkojnë për “masa” tani që sezoni po mbaron

 Saranda në kaos, dy ministra dhe shefi i Policisë kujtohen të shkojnë për “masa” tani që sezoni po mbaron

Siguria e qytetarëve dhe turistëve, mbarëvajtja e sezonit veror dhe lufta ndaj paligjshmërisë ishin në fokus të vizitës së ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në Sarandë.

Gjatë takimeve dhe inspektimeve në qytetin bregdetar, autoritetet vlerësuan ecurinë e sezonit turistik dhe theksuan nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm mes Policisë së Shtetit, pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera.

Ministri Gonxhja deklaroi se sezoni veror po shoqërohet me tregues pozitivë, si sa i përket numrit të vizitorëve të huaj, ashtu edhe sigurisë dhe menaxhimit të fluksit turistik.

“Jemi në kulmin e sezonit veror, një sezon që karakterizohet nga shifra shumë pozitive, jo vetëm sa i takon hyrjeve të vizitorëve të huaj, por në radhë të parë me shifra që lidhen me sigurinë dhe mirëmenaxhimin e sezonit”, u shpreh Gonxhja.

Sipas ministrit, rezultatet lidhen me gatishmërinë dhe angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit dhe organeve të qeverisjes vendore.

Lamallari: Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, nënvizoi se rritja e numrit të turistëve sjell edhe përgjegjësi më të mëdha për strukturat e rendit.

Ai tha se prioritet mbetet garantimi i sigurisë së jetës së qytetarëve dhe vizitorëve, ndërsa paralajmëroi qëndrimin e institucioneve ndaj çdo forme paligjshmërie.

“Ne kemi tre mesazhe kryesore si Ministri e Punëve të Brendshme. Së pari, siguria e jetës së qytetarëve dhe e turistëve”, deklaroi Lamallari.

Ministri theksoi se autoritetet nuk do të tolerojnë aktivitetet kriminale, shkeljet e ndryshme të ligjit dhe problematikat që lidhen me sigurinë rrugore.

“Do të lejojmë zero paligjshmëri, qoftë në kuptim të aktiviteteve kriminale, paligjshmërive të ndryshme, ato që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore”, tha ai.

Lamallari vlerësoi gjithashtu punën e efektivëve të Policisë së Shtetit dhe theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë në çdo rast kur qytetarët apo turistët kërkojnë ndihmë.

Hita: Policia çdo ditë në terren

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se strukturat e rendit janë të angazhuara çdo ditë në terren për garantimin e sigurisë në Sarandë dhe në zonat turistike përreth.

“Saranda është një qytet që e do rendin dhe sigurinë. Në kuadër të këtyre veprimeve ne jemi çdo ditë në terren”, u shpreh Hita.

Ai falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për angazhimin gjatë sezonit turistik dhe theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe integritetit në shërbim.

Vizita e drejtuesve të institucioneve vjen në kulmin e sezonit turistik, kur Saranda dhe jugu i vendit përballen me një fluks të lartë turistësh vendas dhe të huaj. Autoritetet kanë deklaruar se siguria, reagimi i shpejtë ndaj problematikave dhe lufta ndaj paligjshmërisë do të vijojnë të jenë ndër prioritetet kryesore përgjatë gjithë sezonit veror.

Vetëm se këto, deri tani në Sarandë kanë munguar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *