E rëndë në Sarandë: Babai shtyp aksidentalisht vajzën e tij 4-vjeçare
Një ngjarje tragjike është shënuar mëngjesin e kësaj të diele në Ksamil, ku një e mitur ka humbur jetën pasi është goditur aksidentalisht nga automjeti që drejtohej nga babai i saj.
Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në një parkim privat, ku 4-vjeçarja është goditur aksidentalisht nga i ati i cili ishte duke kryer një manovër me mjetin e tij në ato momente.
Fatkeqësisht, si pasojë e plagëve të marra e mitura humbi jetën, ndërkohë që i ati është shoqëruar në Komisariat.
Policia e Sarandës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të dokumentuar dinamikën e aksidentit tragjik.
“Rreth orës 11:30, në një parkim privat, pranë plazhit në Ksamil, shtetasi E. M., duke kryer manovrën e parkimit me automjetin tip “Audi”, dyshohet se ka goditur aksidentalisht vajzën e tij, 4 vjeçe. S
i pasojë e përplasjes, e mitura ka humbur jetën në vendngjarje. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, deklaroi Policia.