27 Gusht, 2026

Me Erdogan, apo me Macron dhe BE? Rasti i 32-vjeçares turke vë në dilemë Shqipërinë

 Me Erdogan, apo me Macron dhe BE? Rasti i 32-vjeçares turke vë në dilemë Shqipërinë

Në Gjykatën e Tiranës u mbajt këtë të premte procesi për caktimin e masës së sigurisë ndaj Julide Yazici, një 32 vjeçare turke e arrestuar me qëllim ekstradimin në Turqi.

Gjykata vendosi ta lejë atë në burg, pasi u arrestua në Rinasd dy ditë më parë (kujtojmë që ajo kishte qenë në Shqipëri edhe një vit më parë).

Yazici është aktiviste, gazetare dhe një person që ka protestuar kundër Erdoganit në Turqi.

Ajo raportohet se ka fituar azil politik në Francë për përndjekje politike në Turqi.

Nëse Shqipëria vendos ta ekstradojë atë në Turqi, 32-vjeçaren e pret burgu.

32-vjeçarja akuzohet në Turqi për mbështetje të terrorizmit.

Yazici kërkohet nga autoritetet turke për të vuajtur një dënim të mbetur prej 3 vjetësh, 5 muajsh e 22 ditësh, nga dënimi me 4 vjet burgim në total, nën dyshimet për dhënie të ndihmës logjistike dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Çdo person që është kundër Erdogan, prej vitesh akuzohet në fakt për terrorizë,.

Ndaj Shqipëria, duhet të mendohet mirë, para se të marrë një vendim.

Aq më tepër, nëse është e vërtetë që ajo ka fituar azil politik në Francë.

Gazetari i njohur Enver Robelli, shkruan se nëse Shqipëria vendos ta ekstradojë atë, do të kishim të bënim me një krim.

“Nëse ka fituar azil politik në Francë, pra në një vend të BE-së, ku Shqipëria dëshiron të anëtarësohet, pra edhe t’i respektojë ligjet, vlerat dhe standardet e BE-së, atëherë ekstradimi i saj në Turqi do të ishte KRIM. Dhe atë: KRIM i shtetit shqiptar.

Frikësohem se servilizmi i paparë i politikanëve shqiptarë, si në të kaluarën edhe tash, mund të ketë pasoja fatale për aktivistë, të cilët në mënyrë paushalle akuzohen për “terrorizëm”, pa asnjë fakt”, shkruan ai.

Sipas tij, interesant do të jetë qendrimi i Ambasadës franceze në Tiranë:

“Sidoqoftë, do të ishte interesant të dihet se cili është qëndrimi i Ambasadës së Francës në Tiranë ndaj këtij rasti”.

Deri më tani, kjo Ambasadë nuk ka bërë asnjë reagim.

Gjyqi

Gjyqtari Kujtim Vraniçi pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj për masën e sigurisë, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes se kishin siguruar një banesë me qira dhe se e reja mund të lihej në masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, pasi nuk paraqiste rrezikshmëri dhe kishte statusin e azilantes politike në Francë, një vend i Bashkimit Europian.

“Është intelektuale. Ka statusin e azilantes politike në Francë dhe nuk është e rrezikshme. Ne morëm një shtëpi me qira dhe kërkuam arrest shtëpie, por prokuroria ishte e frikësuar se mund të largohej drejt Francës dhe kërkoi që të mbahej në burg,” tha avokati i Yazici, Artan Shllaku. Shllaku tha se vendimi do të apelohej.

Ai shtoi se Yazici kishte qenë edhe një vit më parë në Shqipëri për të takuar familjen dhe nuk kishte pasur probleme. Sipas tij, ajo është nëpunëse publike në Francë dhe jep mësim në një shkollë fillore.

Julide Yazici kërkohet nga autoritetet turke për të vuajtur një dënim të mbetur prej 3 vjetësh, 5 muajsh e 22 ditësh, nga dënimi me 4 vjet burgim në total, nën dyshimet për dhënie të ndihmës logjistike dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Sipas vendimit të Gjykatës Kombëtare të Azilit, CNDA, në Francë, të datës 16 nëntor 2020, të cilin BIRN e ka, Yazici është përfshirë vazhdimisht në aktivizëm politik në Turqi dhe ka qenë pjesëmarrëse në protestat e famshme të Parkut Gezi në vitin 2013 kundër qeverisjes së presidentit aktual të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Ajo ka mbështetur aktivisht ish-Partinë Demokratike të Popullit, HDP, një forcë politike e majtë që mbështeste minoritetin kurd në Turqi dhe që u transformua më vonë në “DEM Parti”.

Vendimi i gjykatës franceze që i ka njohur azilin Yazicit, thotë se ajo u arrestua në janar 2016 “për shkak se i kishte lejuar një gruaje të re që nuk e njihte, e cila i ishte prezantuar nga një mik, të qëndronte në dhomën e saj studentore”. Duke justifikuar njohjen e statusit të azilantes, gjykata franceze citon në dokument se “znj. Yazici ka një frikë të justifikuar, në kuptim të dispozitave të përmendura më lart të Konventës së Gjenevës, se do të përndiqet nëse kthehet në vendin e saj për shkak të aktivizmit të saj politik,” dhe në Nenin 2 të po këtij vendimi sanksionohet: “Znj. Julide Yazici njihet si refugjate.”

Avokati Shllaku i tha BIRN-it se mbrojtja kishte paraqitur faktin e azilit politik nga Franca në argumente, por prokuroria këmbënguli se kjo pjesë do të shqyrtohet gjatë gjykimit në themel të kërkesës për ekstradim pasi të mbërrijnë dokumentet nga Turqia.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar organizata e majtë franceze “Union pour la Reconstruction Communiste”, URC, e cila deklaron se Yazici është anëtare e saj. Organizata thekson në një publikim në X se “nëse Julide do të ekstradohej, ajo rrezikon të pësojë tortura dhe trajtime çnjerëzore”.

URC i bën thirrje “autoriteteve shqiptare të refuzojnë çdo kërkesë ekstradimi që synon Julide Yazicin… dhe të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre që burojnë nga Konventa e Gjenevës e vitit 1951, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe parimi i moskthimit”. Ato kërkojnë lirimin e menjëhershëm të saj dhe ndërhyrjen e autoriteteve franceze për të garantuar mbrojtjen si refugjate politike.

Arrestimi i Yazicit vjen në një moment interesant, pasi forcat politike në Turqi, përfshirë partinë e Erdoganit dhe përfaqësuesit e kurdëve në parlament, arritën një marrëveshje që synon ndër të tjera edhe një amnisti për shumë prej kurdëve të dënuar.

Yazici nuk është e para shtetase turke dhe aktiviste politike që arrestohet për qëllime ekstradimi në Shqipëri. Më herët, mësues dhe punonjës të lidhur me lëvizjen e të ndjerit Fetullah Gylen janë arrestuar për qëllime ekstradimi. Shqipëria ka dorëzuar në mënyrë kontroverse qytetarë turq të dyshuar si të lidhur me lëvizjen gyleniste. Më 1 janar 2020, Shqipëria deportoi mësuesin Harun Çelik, pavarësisht thirrjeve të këtij të fundit për azil.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *