24 Gusht, 2026

Takim sekret në Vjenë për paqen në Ukrainë

 Takim sekret në Vjenë për paqen në Ukrainë

Ish-zyrtarë të lartë nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Rusia zhvilluan muajin e kaluar një takim konfidencial në Vjenë për të shqyrtuar kushtet e mundshme për nisjen e bisedimeve të paqes që do t’i jepnin fund luftës në Ukrainë.

Lajmi u raportua nga Bloomberg, duke cituar burime të njohura me takimin.

Sipas tyre, në takim morën pjesë ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Britanisë së Madhe, Tim Barrow, ish-sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Markus Ederer, si dhe diplomati veteran francez Pierre Vimont.

Burimet nuk zbuluan identitetin e ish-zyrtarit të Kremlinit që mori pjesë në diskutime.

Takimi u zhvillua me nismën e Centre for Humanitarian Dialogue, një organizatë me seli në Zvicër që merret me ndërmjetësimin e konflikteve dhe e përshkruan veten si një pionier të diplomacisë diskrete dhe të pavarur.

Sipas Bloomberg, nuk është e pazakontë që ish-zyrtarë dhe institute kërkimore të zhvillojnë kontakte jozyrtare, larg qeverive, për të testuar mundësi të reja për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.

Burimet nuk sqaruan nëse takimi ishte pjesë e një nisme të koordinuar nga Britania, Franca dhe Gjermania për të vendosur kontakte me Kremlinin.

Megjithatë, një burim tha se Britania e Madhe e mirëpriste këtë përpjekje, ndërsa një tjetër konfirmoi se Franca ishte në dijeni të zhvillimit të takimit.

Një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi: “Britania e Madhe mbështet përpjekjet për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Ne nuk komentojmë aktivitetin e ish-zyrtarëve.”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *