25 Gusht, 2026

Shqipëria që i shitet prurësit me të parë

 Shqipëria që i shitet prurësit me të parë

Nga Gjergj Erebara

Deklarata e Mohamed Alabbar-t i cili tha se “në Durrës ishte ndërtuar tepër shpejt”, gjë që supozon, projekti fantazmagorik dhe spekulativ ka dështuar, duhet të na rikthejë pas pak në kohë, (“vetëm” pesë vjet të shkuara), kur Durrës Marina nisi, si dhe milionat e eurove nga paratë tona që shkuan dëm dhe potencialisht miliardat që ne do të duhej të paguanim për ndërtimin e një porti të ri për shkak të politikës së Ramës për shitjen e Shqipërisë pa plan paraprak, të interesuarit më të parë.

Viti 2021: Porti i Durrësit është Porti i Durrësit dhe kurrfarë plani nuk ka as për marinë dhe as për zhvendosje. Bashkimi Evropian ka akorduar 25 milionë euro dhuratë për Shqipërinë me qëllim kryerjen e punimeve të mirëmbatjes dhe modernizimit të portit. Por një ditë të bukur, Rama deklaron se e ka shitur portin te një miliarder nga Emiratet, përkundrejt premtimit për 2.1 miliardë euro investime. Marrëveshja e shitjes u miratua nga socialistët një vit më vonë. (Bashkimi Evropian anuloi projektin në çastin e fundit.) Pa tender, pa garë, pa debat, pa konsultim me askënd.

Gjithkush që ka sado pak informacion e dinte se 2.1 miliarë eurot “investime” nuk janë “investime”. Ato janë fantazi. Dhe kushdo që di sado pak gjë nga ekonomia e Shqipërisë, pyeti: po me portin çfarë do të bëhet?! Porti i Durrësit është pika ku hyjnë e dalin mbi 90% të tregtisë së jashtme të vendit. Shqipëria nuk mund të importojë dhe as nuk mund të eksportojë asgjë nëse Porti i Durrësit papritur “mbyllet”.

“Recklessness” të vepruarit në papërgjegjshmëri të plotë, duke injoruar rreziqet potenciale për vendin, është epiteti i duhur për këtë vendimmarrje të Edi Ramës. Dhe kjo papërgjegjshmëri ekstreme mundësohet saktësisht nga shkatërrimi i parlamentarizmit dhe demokracisë përfaqësuese nga ai në kompromis me Berishën. Kontrolli i medias dhe shkatërrimi i çdo shtegu për debat publik mbi kostot dhe përfitimet e kësaj vendimmarrjeje të papërgjegjshme është ajo që mundëson mbajtjen e qytetarëve në injorancë të plotë. (“Pa kosto për taksapaguesit” ishte gënjeshtra e pacipë që iu shit shqiptarëve).

Papërgjegjshmëria ekstreme në vendimmarrje u shfaq fillimisht me supozimin që, Porti i Durrësit do të duhej të mbyllej për mallrat, ndërsa një port privat në Porto Romano e zëvendësonte. Me një gur, Rama vidhte portin më të madh të vendit dhe privatizonte tregtinë e jashtme. Plani dështoi sepse portet rezultuan projekte disi komplekse si dhe për faktin që, Durrësi, i zhvilluar si port përgjatë më shumë se një shekulli, si sipërmarrje publike, ka ngrënë sakaq shumë miliarda dhe i ka marrë këto investime, jo me parimin e kostos dhe përfitimit të një sipërmarrjeje private, por me shpenzimet e domosdoshme që një vend bën për të siguruar pasjen e një porti për tregi dhe për siguri. (Durrësi është pika e rëndësishme e NATO-s si portë hyrëse për në Ballkan.

Pasi dështoi plani për port privat, Rama hapi buxhetin për të ndërtuar një port të ri. Miliarda euro do të duhej të shpenzonin shqiptarët me qëllim që një port i ri të zëvendësonte portin e Durrësit që iu fal Alabarit. Miliona janë shpenzuar sakaq nga paratë e taksapaguesve për të paguar studime e procese prokurimi, një prej të cilëve është në hetim për shkelje.

Tani ka shumë gjasa që vendit do t’i duhet të shpenzojë miliona për të rrafshuar ngrehinat e Alabarit si dhe miliona të tjera për t’u rikthyer aty ku ishim pesë vjet më parë.

Në foto: Arben Ahmetaj (aktualisht në arrati), Belinda Balluku, (e pandehur), Alabari dhe Rama.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *