26 Gusht, 2026

Fenomeni që po rikthehet me ‘forcë’: Emigracioni vë sërish në alarm kufijtë e Europës

 Fenomeni që po rikthehet me ‘forcë’: Emigracioni vë sërish në alarm kufijtë e Europës

Qindra emigrantë, kryesisht nga Maroku dhe Algjeria, kanë mbërritur gjatë orëve të fundit në qytetin autonom spanjoll të Ceutës, duke kaluar me not ngushticën që e ndan nga Maroku ose duke ndjekur digën kufitare të Tarajalit.

Autoritetet vendase e kanë cilësuar situatën si një krizë humanitare të paprecedentë që nga maji i vitit 2021, kur rreth 5 mijë persona kaluan kufirin brenda një dite.

Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar mbi 1.500 mbërritje, ndërsa presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, tha se rreth 2 mijë emigrantë kanë hyrë në qytet gjatë dhjetë ditëve të fundit. Ai deklaroi se Ceuta ndodhet në një situatë emergjente humanitare dhe sociale, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm nga autoritetet.

Si pasojë e fluksit të lartë, autoritetet spanjolle kanë forcuar masat e sigurisë në kufi. Ushtria është angazhuar për të mbështetur Gardën Civile, ndërsa në zonë janë dërguar trupa shtesë për të garantuar kontrollin e situatës.

Nga ana tjetër, autoritetet e Ceutës i kanë kërkuar qeverisë spanjolle mbylljen e menjëhershme të kufirit me Marokun dhe shpalljen e gjendjes së emergjencës. Megjithatë, Ministria e Brendshme e Spanjës ka sqaruar se legjislacioni aktual nuk lejon shpalljen e emergjencës kombëtare për flukset migratore, por vetëm në raste fatkeqësish natyrore ose rreziqesh të tjera të jashtëzakonshme.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, deklaroi se qeveria po mobilizon të gjitha mjetet e nevojshme për ta rikthyer situatën në normalitet sa më shpejt.

Ndërkohë, sindikatat e Policisë Kombëtare spanjolle kanë akuzuar autoritetet marokene se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndalur kalimet e paligjshme, ndërsa Maroku i ka hedhur poshtë këto akuza. Rabati theksoi se kalimet masive po nxiten nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe se bashkëpunimi me Spanjën në kufi mbetet i ngushtë. Të dyja vendet kanë rënë dakord të forcojnë koordinimin dhe të përshpejtojnë procedurat e riatdhesimit të personave që kanë hyrë ilegalisht në Ceuta.

Kriza ka shkaktuar edhe viktima. Roja Civile dhe shërbimet e shpëtimit kanë nxjerrë nga deti të paktën nëntë trupa emigrantësh gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa një organizatë joqeveritare raportoi se rreth 20 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas të dhënave zyrtare, me viktimat e fundit, rreth 70 persona kanë humbur jetën gjatë 12 muajve të fundit duke u përpjekur të arrijnë në Ceuta përmes detit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *