27 Korrik, 2026

45 milionë dollarë për mesazhe: Brenda fushatës së Izraelit për të ndikuar opinionin publik në SHBA

 45 milionë dollarë për mesazhe: Brenda fushatës së Izraelit për të ndikuar opinionin publik në SHBA

Miliona mesazhe tekst u janë dërguar muajt e fundit telefonave celularë të qytetarëve amerikanë nga persona që prezantoheshin si Emma, Sarah ose John dhe identifikoheshin si anëtarë të një grupi të quajtur “Friends for Peace”.

“Si mendoni se do të ndikojnë bisedimet e paqes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në sigurinë globale?”, shkruhej në mesazhe. Një hetim i Wall Street Journal zbuloi se këto mesazhe janë krijuar me inteligjencë artificiale, promovohen nga një ish-këshilltar afatgjatë i presidentit amerikan Donald Trump dhe financohen nga qeveria izraelite.

Në një hetim të publikuar këtë javë nga revista Time, u zbulua se Izraeli i ka paguar rreth 1.5 milionë dollarë në muaj Brad Parscale, drejtuesit të fushatës dixhitale të Trump në vitin 2016, si pjesë e një përpjekjeje për të ndikuar opinionin publik amerikan, veçanërisht tek të rinjtë konservatorë dhe mbështetësit e lëvizjes MAGA. Ndërkohë, Wall Street Journal raportoi se kontrata e financuar nga qeveria izraelite kap vlerën e më shumë se 45 milionë dollarëve.

Sipas raportit, rreth 60% e të rriturve amerikanë kanë tashmë një qëndrim negativ ndaj Izraelit, sipas një sondazhi të Pew Research Center, në sfondin e luftërave në Gaza dhe Iran. Për këtë arsye, Izraeli po investon dhjetëra miliona dollarë në një fushatë që përshkruhet si “kixotike” – pra idealiste dhe pak realiste – për të përmbysur këtë prirje, duke u mbështetur në strategji të bazuara në inteligjencën artificiale dhe pagesa direkte për mediat konservatore.

Gjashtë kompani dhe dhjetëra agjentë: “Integrimi i mesazheve të narrativës”

Izraeli ka angazhuar të paktën gjashtë kompani gjatë vitit të fundit për të ndihmuar në përpjekjet e tij për të ndikuar opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Dhjetëra persona, shumë prej tyre profesionistë të marketingut, janë regjistruar si agjentë të huaj që përfaqësojnë interesat e Izraelit.

Sipas Nick Cleveland-Stout, studiues i ndikimit të huaj në institutin Quincy Institute for Responsible Statecraft, Izraeli është në rrugën për të shpenzuar më shumë se çdo shtet tjetër për fushata ndikimi në SHBA të deklaruara pranë autoriteteve federale. Ai theksoi se edhe vende të tjera, si Katari, kanë investuar shuma të mëdha ndër vite në operacione të ngjashme ndikimi.

Brad Parscale mban aktualisht postin e drejtorit të strategjisë në Salem Media, një kompani që menaxhon disa nga podkastet dhe programet më të njohura konservatore në SHBA.

Sipas hetimit të Wall Street Journal, kontrata fillestare e Parscale me Izraelin përfshinte “integrimin e mesazheve të narrativës në asetet e Salem Media dhe në kanalet e lidhura të shpërndarjes”.

Steve Bannon, ish-strategu kryesor i Donald Trump dhe një nga podkasterët më të njohur konservatorë, reagoi duke pyetur: “Si është e mundur që rrjeti i dytë më i madh i radiove konservatore drejtohet nga një agjent i regjistruar i një qeverie të huaj?”

Nga ana e tyre, Salem Media dhe Brad Parscale deklaruan se nuk i paguajnë moderatorët apo komentatorët e tyre për të mbajtur qëndrime të caktuara në favor të Izraelit dhe se fondet janë përdorur kryesisht për reklama në internet me vlerë mbi 500 mijë dollarë.

“Moderatorët tanë e kanë ndërtuar karrierën duke thënë pikërisht atë që mendojnë, jo duke lexuar skenarin e dikujt tjetër”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Salem Media, David Santrella.

Shumë prej moderatorëve të rrjetit kanë qenë prej kohësh mbështetës të Izraelit dhe, në raste të ndryshme, kanë përcjellë mesazhe të ngjashme në mbështetje të tij.

Chatbotët dhe fushata në mbështetje të Izraelit: “Gjëja më e madhe jashtë Fox News”

Kontrata e Brad Parscale me Izraelin është dukshëm më e madhe se ato të këshilltarëve të tjerë të Donald Trump që kanë punuar për qeveri të huaja, përfshirë Arabinë Saudite, Indinë dhe Katarin, të cilat, sipas Wall Street Journal, zakonisht u paguanin lobistëve vetëm dhjetëra mijëra dollarë në muaj, bazuar në dokumentet zyrtare të depozituara.

Parscale punoi në fushatat presidenciale të Trump në vitet 2016 dhe 2020, duke tërhequr vëmendjen publike për përdorimin e kompanisë së analizës së të dhënave Cambridge Analytica për mbledhjen e informacionit nga Facebook. Edhe pse sot nuk mban kontakte të rregullta me presidentin, ai vazhdon të ketë lidhje me familjen Trump.

Në fund të vitit 2024, Parscale udhëtoi drejt Izraelit për t’i paraqitur qeverisë propozimin e tij, duke u thënë zyrtarëve se kompanitë që kishte themeluar dhe ku kishte investuar ishin “ndoshta forca më e madhe jashtë Fox News në luftën kundër dezinformimit dhe urrejtjes ndaj hebrenjve”. Më pas ai është rikthyer rregullisht në Izrael për të informuar autoritetet mbi ecurinë e projektit.

Fushata përfshin krijimin e faqeve të internetit, publikimeve dhe lidhjeve me përmbajtje pro-Izraelit, të projektuara, ndër të tjera, për të ndikuar që chatbotët me inteligjencë artificiale, si Claude apo ChatGPT, të japin rezultate më pozitive për Izraelin.

Në disa raste, chatbotët kanë shpërndarë lidhje drejt faqeve si Allyvia.org, e cila trajton aleancën SHBA-Izrael dhe është ndërtuar nga ekipi i Parscale.

Një nga objektivat kryesorë të projektit është, sipas tij, “të kuptojë shqetësimet më të mëdha që njerëzit kanë për Izraelin dhe t’i kundërshtojë ato, ndërsa përgjigjet t’i raportohen qeverisë izraelite”.

Parscale është gjithashtu investitor në kompaninë Influentable, e cila paguan influencues në rrjetet sociale për publikimin e përmbajtjeve të sponsorizuara. Megjithatë, ai deklaroi se nuk ka angazhuar influencues për fushatën në favor të Izraelit.

Disa nga personat që morën mesazhet e fushatës filluan të dyshonin se ishin pjesë e një operacioni më të gjerë ndikimi.

Artistja hebreje Beth Surdut mori në qershor një nga mesazhet e “Friends for Peace”, ku i kërkohej mendimi për Izraelin. Ajo vuri re se biseda dukej e çuditshme dhe qarkulluese: çdo përgjigje që jepte riformulohej dhe i rikthehej sërish në një mesazh tjetër.

“I thashë: ‘Nuk besoj se je një person i vërtetë’ – dhe ai u përpoq të më bindte se ishte”, tha ajo në një intervistë.

Mesazhet menaxhohen nga kompania Sparkfire, e cila pretendon se mesazhet tekst të krijuara me inteligjencë artificiale mund të zhvillojnë biseda më produktive sesa fushatat tradicionale me SMS.

Deri në mesin e muajit maj, kompania kishte marrë 6.5 milionë dollarë për realizimin e këtij projekti.

Një zëdhënës i Sparkfire deklaroi se “anëtarë të ekipit njerëzor janë të përfshirë gjatë gjithë procesit të komunikimit dhe ndërveprojnë drejtpërdrejt me marrësit e mesazheve”.

Megjithatë, grupi “Friends for Peace” nuk rezulton të jetë i regjistruar si organizatë jofitimprurëse apo si kompani me përgjegjësi të kufizuar.

Kur u pyet nëse bëhet fjalë për një organizatë reale, Parscale u përgjigj: “Çfarë e konsideroni ju një organizatë reale?”

Edhe Beth Surdut nuk arriti të gjente një faqe interneti për këtë grup, gjë që i shtoi dyshimet.

“Edhe nëse është një kauzë që e mbështes, nuk dua të zhvilloj një bisedë me inteligjencën artificiale”, u shpreh ajo.

Influencuesit – dhe lidhja me Steph Curry

Përpjekjet e Izraelit shtrihen përtej Parscale: nga kishat ungjillore te influencuesit online

Përpjekjet e Izraelit nuk kufizohen vetëm te Brad Parscale. Një grup i quajtur Show Faith by Works ka dorëzuar dokumente ku paraqet planet për të shpërndarë mesazhe në mbështetje të Izraelit, veçanërisht te pjesëmarrësit e kishave të mëdha ungjillore dhe studentët e krishterë.

Grupi pretendonte se mund të arrinte rreth 4 milionë persona në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara përmes një fushate të quajtur “geofencing”, një metodë që dërgon mesazhe bazuar në vendndodhjen fizike të përdoruesve.

I themeluar në korrikun e kaluar, grupi deklaroi se projekti do të përfshinte krijimin e “lidhjeve pozitive me shtetin e Izraelit, duke e lidhur njëkohësisht popullsinë palestineze me fraksione ekstremiste”, me një kosto prej më shumë se 3 milionë dollarësh.

Në kuadër të kësaj fushate, organizata tha se synonte të afrohej me figura me ndikim publik, duke përmendur aktorin Chris Pratt dhe yllin e basketbollit Steph Curry si shembuj të personave idealë për të shërbyer si zëdhënës.

Wall Street Journal raportoi se një përfaqësues i Pratt deklaroi se aktori nuk ishte kontaktuar kurrë nga grupi, ndërsa përfaqësuesit e Curry nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Në një email, themeluesi i Show Faith by Works, Chad Schnittger, tha se grupi “që atëherë ka marrë një drejtim tjetër” dhe se buxheti ishte ridrejtuar kryesisht “për ndërtimin e një muzeu të lëvizshëm me ekrane video të personalizuara”.

Fushatat drejt së majtës amerikane

Sipas Wall Street Journal, përpjekje të tjera të Izraelit janë përqendruar edhe te krahu i majtë politik amerikan. Lufta në Gaza ka shkaktuar përplasje të thella brenda Partisë Demokratike mbi pyetjen nëse mbështetja për Izraelin vazhdon të ketë vend në këtë parti.

Yoav Davis, themeluesi i faqes së njohur në Instagram @Jews_of_NY, e cila ka 193 mijë ndjekës, drejton një kompani marketingu që ka kontratë me Izraelin. Puna e kompanisë përfshin pjesëmarrjen në telefonata me një “ekip menaxhimi influencuesish” dhe “menaxhim të talenteve të kontraktuara”.

Davis merr shpesh pjesë në diskutime online mbi Izraelin dhe luftën, përfshirë edhe gjatë një vizite në Paradën e Krenarisë në Jerusalem në muajin qershor.

“Izraeli është padyshim vendi më i sigurt në Lindjen e Mesme për personat LGBTQ”, tha ai para kamerës.

Megjithatë, ai nuk ka bërë të ditur nëse postimet ose udhëtimet e tij janë financuar nga Izraeli dhe nuk iu përgjigj kërkesave të gazetës për koment.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka treguar interes të veçantë për afrimin me influencuesit konservatorë, duke u takuar me ta gjatë të paktën dy vizitave të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Rënia e mbështetjes amerikane për Izraelin “përputhet pothuajse 100% me rritjen gjeometrike të rrjeteve sociale”, tha Netanyahu në një intervistë të muajit maj për programin “60 Minutes”.

Dokumentet tregojnë se Izraeli dhe agjentët e regjistruar që punojnë për të kanë kryer pagesa ndaj kompanive në pronësi të influencuesve të tjerë online si pjesë e këtyre përpjekjeve, megjithëse ato nuk specifikojnë pagesa direkte për publikime.

Influencuesit ungjillorë Stefanie dhe Caleb Rouse, të cilët publikojnë përmbajtje pozitive mbi tema si “10 gjëra për të cilat duhet të luteni në martesën tuaj”, zotërojnë një kompani që mori 4.500 dollarë nga një kontraktor izraelit vitin e kaluar për “promovim strategjik marketingu”.

Çifti Rouse nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Debati politik në SHBA

Nënpresidenti amerikan JD Vance akuzoi javën e kaluar fushatën e ndikimit të Izraelit se po përpiqet “të minojë negociatat e SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit në Iran”.

Në podcastin e Joe Rogan, Vance tha se disa zyrtarë izraelitë po punojnë “për ta mbajtur luftën në vazhdim pafundësisht. Përsëri, jo drejt ndonjë objektivi, por thjesht pafundësisht”.

Sipas ministrit të Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, Izraeli ka vendosur një buxhet prej më shumë se 700 milionë dollarësh për vitin 2026 për të zgjeruar përpjekjet e vendit “për të formësuar ndërgjegjen” dhe për të përmirësuar imazhin e tij në botë.

Ministria e Jashtme izraelite nuk iu përgjigj kërkesave të Wall Street Journal për intervistë.

Raporti thekson se aleatët e Izraelit argumentojnë se këto fushata ndikimi janë të nevojshme për të kundërshtuar operacionet e ngjashme të Iranit dhe të lëvizjes pro-palestineze.

Ynet

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *