Si po e dobëson Trump diplomacinë amerikane
Diplomacia amerikane po përjeton transformimin më të madh në dekada.
Kështu vlerëson një analizë e Financial Times, sipas së cilës mandati i dytë i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionon Departamenti i Shtetit dhe rolin e tij në politikën e jashtme amerikane.
Sipas analizës, më shumë se gjysma e posteve të ambasadorëve amerikanë mbeten ende vakante, ndërsa në Afrikë rreth 80 për qind e ambasadave të Shteteve të Bashkuara nuk kanë ambasadorë të emëruar.
Në të njëjtën kohë, administrata Trump ka reduktuar stafin e Departamentit të Shtetit me mbi 3 mijë punonjës, ose më shumë se 20 për qind të forcës së tij të punës.
Ndryshe nga praktika e dekadave të fundit, shumica e ambasadorëve të rinj nuk vijnë nga trupa diplomatike profesioniste. Nga 101 emërime për ambasadorë gjatë mandatit të dytë të Trump, vetëm nëntë janë diplomatë karriere, ndërsa pjesa tjetër janë emërime politike.
Administrata e presidentit Trump i konsideron këto ndryshime si pjesë të reformës “Amerika Së Pari”, duke argumentuar se Departamenti i Shtetit ishte bërë një burokraci e ngadaltë dhe e shkëputur nga objektivat e sigurisë kombëtare.
“Detyra e Departamentit të Shtetit është të zbatojë politikën e jashtme të presidentit, jo ta hartojë atë”, citohet një zyrtar i lartë i administratës në analizë.
Megjithatë, ish-diplomatë dhe ish-zyrtarë të lartë paralajmërojnë se ndryshimet po dobësojnë ndikimin ndërkombëtar të Washington-it.
Nick Burns, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kinë, e cilëson situatën “kriza më e rëndë në historinë 102-vjeçare të shërbimit diplomatik amerikan”.
Ndërsa Bill Burns, ish-drejtor i CIA-s dhe ish-ambasador në Rusi, argumenton se dëmi mund të jetë edhe më i madh se ai i periudhës së senatorit Joseph McCarthy në vitet 1950.
Sipas tij, administrata Trump po tregon një “mospërfillje ndaj diplomacisë profesionale”, duke larguar ekspertët me përvojë dhe duke zëvendësuar diplomacinë tradicionale me të dërguar politikë dhe njerëz të afërt me presidentin.
Analiza vëren se Trump po mbështetet gjithnjë e më shumë te figura si Steve Witkoff, Tom Barrack apo dhëndri i tij Jared Kushner për ndërmjetësimin e krizave ndërkombëtare, ndërsa roli i diplomatëve profesionistë është zbehur ndjeshëm.
Sipas Financial Times, aleatët tradicionalë të Washington-it tashmë kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë me rrethin e ngushtë të presidentit, duke anashkaluar Departamentin e Shtetit, pasi shumë diplomatë nuk kanë më informacion mbi vendimmarrjen reale në Shtëpinë e Bardhë.
Analiza përfundon se edhe nëse demokratët rikthehen në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2028, rikthimi i modelit të vjetër të diplomacisë amerikane mund të mos jetë më i mundur.
Sipas autorëve, ndryshimet e ndërmarra gjatë mandatit të dytë të Trump kanë karakter afatgjatë dhe mund të riformësojnë përgjithmonë politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.