Izraeli informon SHBA-të se Irani ka kurdisur një komplot për të vrarë Trump
Izraeli ka ndarë informacione të reja inteligjence me SHBA-të, të cilat, tregojnë një plan të ri iranian për të vrarë Presidentin amerikan Donald Trump.
Kështu thanë për The Wall Street Journal burime të njohura me çështjen, një zbulim ky që do të shënonte një përshkallëzim të luftës midis Washingtonit dhe Iranit.
Irani për vite me radhë është zotuar hapur të hakmerret kundër Trump për vrasjen e Qassem Soleimani, i cili ishte një gjeneral i lartë në Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, në mandatin e parë të presidentit.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Shtëpia e Bardhë i referoi The Wall Street Journal komenteve që presidenti bëri të mërkurën.
Trump të mërkurën aludoi për kërcënime për jetën e tij kur foli me gazetarët në Ankara, Turqi.
“Ata duan të eliminojnë udhëheqësin e SHBA-së – mua,” tha ai. “Unë jam në çdo listë. E pashë këtë mëngjes, jam në secilën prej listave të tyre. Dhe deri më tani, mendoj se kam qenë pak me fat, por kjo ndoshta nuk zgjat shumë.”
Marrëdhëniet midis Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu janë përkeqësuar në javët e fundit, ndërsa interesat e tyre u ndanë rreth vazhdimit të luftës me Iranin.
Netanyahu ka mbështetur vazhdimin e sulmeve ndaj Iranit dhe arritjen e më shumë qëllimeve të luftës. Trump ka kërkuar një rrugëdalje nga konflikti, duke përmendur shqetësimet se ai mund të dëmtojë ekonominë globale. SHBA-të arritën një armëpushim të brishtë me Iranin muajin e kaluar.
Trump dhe Netanyahu folën të enjten, sipas zyrës së kryeministrit izraelit, e cila tha se kishin rënë dakord të vazhdonin “koordinimin midis vendeve”.
Trump gjithashtu e informoi Netanyahun mbi aktivitetin e fundit të SHBA-së në Gjirin Persik, thuhet në deklaratë.
Iranianët që morën pjesë në funeralin e udhëheqësit suprem të vrarë iranian Ali Khamenei kënduan për vdekjen e Trump, me pjesëmarrësit që zbuluan një banderolë që shkruante “Ne do ta vrasim Trumpin”.
Trump dhe Netanyahu folën shpesh në fillim të luftës në Iran, me Netanyahun që i tregoi presidentit për objektiva të ndryshëm dhe inteligjencën izraelite në telefonata të vona të natës, raportoi më parë Journal.
Të dy burrat kanë vazhduar të flasin, por marrëdhënia e tyre ka treguar shenja të përkeqësimit në një seri telefonatash të tensionuara.