Kush është sistemi?
Nga Klementin Mile
Shumë njerëz thonë se sistemi është Rama (“Rama jepe dorëheqjen”).
Por nëse sistemi do të ishte vetëm Rama, atëherë largimi i tij do të mjaftonte për ta ndryshuar realitetin. Historia na tregon se rrallë ndodh kështu.
Të tjerë thonë se sistemi është Partia Socialiste (“Na gjeni një ministri pa korrupsion”).
Por edhe kjo duket pak. Sepse pushteti nuk prodhohet vetëm nga një parti. Ai prodhohet nga një rrjet shumë më i gjerë marrëdhëniesh, interesash dhe ndikimesh.
Ka nga ata që thonë se sistemi është Rama dhe Berisha bashkë (“Rama në burg, Berisha në burg”). Pra një rend politik që ushqehet prej konfliktit të përhershëm mes dy poleve dhe nuk lejon lindjen e alternativave të reja.
Edhe kjo shpjegon diçka, por jo gjithçka.
Sepse sistemi nuk është një person dhe as dy persona.
Sistemi është EKOSISTEM.
Është mekanizmi i padukshëm ku politika, biznesi, mediat, administrata, interesat ekonomike dhe qendrat e ndikimit krijojnë një ekuilibër që riprodhon vetveten.
Prandaj, sistemi nuk lufton për të shpëtuar individët, por veten.
Kjo është arsyeja pse, në momente krize, sistemi shpesh sakrifikon individë për të mbijetuar. Sepse ruajtja e strukturës është më e rëndësishme se ruajtja e figurës.
Prandaj, çështja kryesore nuk është nëse bie apo jo një figurë politike, qoftë ky edhe Rama.
Por nëse ndryshon apo jo mekanizmi që e prodhoi atë figurë.
Nëse mbetet i njëjti mekanizëm, sistemi thjesht prodhon njerëz të rinj me huqe të vjetra.
Pas 22 ditësh, situata është kjo:
protesta ka fituar legjitimitet, por akoma nuk ka fituar pushtet institucional;
qeveria është nën presion, por nuk është në krizë ekzistenciale;
shenja nervozizmi politik ka, por akoma nuk ka shenja të qarta fragmentimi të elitës në shkallë të gjerë.
Prandaj, në terma afatshkurtër, nuk pritet rënia e sistemit. Në fakt pritet që sistemi të përpiqet ta absorbojë presionin, pa e ndryshuar strukturën bazë të pushtetit.
Gjatë muajve në vijim do të jetë vendimtare “a do të arrijë protesta ta shndërrojë legjitimitetin moral të saj, në kosto politike dhe institucionale për sistemin?”
Sepse vetëm atëherë sistemi do ta konsiderojë seriozisht sakrificën e individëve të pushtetshëm, për të ruajtur vetveten.