14 Korrik, 2026

Air Force One i ri, një “dhuratë” 400 milionë dollarëshe për SHBA

 Air Force One i ri, një “dhuratë” 400 milionë dollarëshe për SHBA

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara prezantuan të premten avionin e ri presidencial Air Force One, një Boeing 747-8 me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i cili iu dhurua Washington-it nga qeveria e Katarit.

Avioni u shfaq për herë të parë publikisht në bazën ushtarake Joint Base Andrews pranë Washington-it dhe pritet të nisë së shpejti fluturimet e testimit përpara se të hyjë zyrtarisht në shërbim për transportin e presidentit amerikan Donald Trump.

“Pas instalimit të ngjyrave të reja kuqe, bardhë e blu dhe modifikimeve përfundimtare qeveritare, avioni ka hyrë në fazën operacionale për të garantuar vazhdimësinë e sigurt të komandantit të përgjithshëm”, thuhet në deklaratën e Forcave Ajrore.

Sipas ushtrisë amerikane, avioni është pajisur me teknologjitë më të avancuara të sigurisë dhe komunikimit, ndërsa ndryshimet në ambientet e brendshme janë mbajtur në minimum.

Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e luksit origjinal të avionit – përfshirë sediljet prej lëkure, dekorimet premium dhe panelet prej druri – është ruajtur.

Administrata Trump ka kaluar vitin e fundit duke përshtatur avionin për përdorim presidencial, ndërsa presidenti ka mbrojtur vazhdimisht vendimin për pranimin e dhuratës nga Katari, pavarësisht kritikave për konflikt të mundshëm interesi dhe shqetësimeve mbi sigurinë.

“Pse ushtria jonë dhe taksapaguesit amerikanë duhet të paguajnë qindra milionë dollarë kur mund ta marrin falas nga një vend që dëshiron të na shpërblejë për një punë të bërë mirë?”, kishte deklaruar Trump në rrjetet sociale vitin e kaluar.

“Vetëm një budalla nuk do ta pranonte këtë dhuratë në emër të vendit tonë”, kishte shtuar ai.

Trump ka bërë të ditur se avioni nga Katari do të përdoret deri në vitin 2028, kur Boeing pritet të dorëzojë flotën e re presidenciale të porositur nga qeveria amerikane.

Ndërkohë, avionët aktualë Air Force One, të cilët kanë transportuar presidentët amerikanë për më shumë se tre dekada, do të vazhdojnë të përdoren për transportin e zyrtarëve të lartë të administratës amerikane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *