11 Qershor, 2026

Një video skandaloze e Gjergj Lucës

 Një video skandaloze e Gjergj Lucës

Nga Ermal Mulosmani

Dje rastësisht pashë një video të Gjergj Lucës që më pezmatoi.

Në piskun e vapës, në mesditë, në rolin e mësuesit të jetës, u afrua në një vend që më ngjasonte me një kamp pune të një kolonie afrikane dhe tregoi tre njerëz që po punonin. Tre skllevër të veshur si të burgosur të Guantanamos, e të sikletsur që dikush  përveçse po i shfrytëzonte po u kërkonte edhet të demonstronin lumturinë e tyre për këtë nënshtrim.

Këta të gjorë ishin kontrasti, shembulli që duhej ndjekur. Në një moment, babai i tyre i shkretë vazhdoi punën nga frika por skllavopronari iu gërmush: “Një minutë ore ti”…

Pasi u vu qetësia, vogëlushi i mjerë, antiGavroshi modern, lëshoi togfjalëshin “Nuk shkoj te pelikani kaçurrel se duhet me punu”. Aty Gjergji kaloi në ekstazë. Pastaj na tregoi se të njëjtën gjë bën edhe me vajzat e veta.

Deviza ishte: “Ky vend bëhet me punë jo me demonstrate”.

***

Unë jam një njeri që e kam provuar punën qysh në moshën 12 vjeçe. Babai im ka qenë pak a shumë me logjikën e Gjergjit: “Duhet të mësohesh me punën, të kuptosh jetën. Nuk më duhen mua ato para të tuat por ti do kuptosh si fitohet leku”.

Dhe unë u mësova të zgjohem në 5 të mëngjesit kur isha 12,13,14 e deri sa bëra 20 vjeç. Të bëja 4 orë e gjysmë në këmbë, mes malesh e gjarpërinjsh, pa ujë e shpesh pa bukë për -më besoni për këtë- për të mbërritur gjallë te vendi i punës!

Ishte në majën e Malit të Dobrejit, një majë strategjike në Tropojë, mbi Luzhë. Komshi me kanalet që hapja unë ishin vetëm disa punime ushtarake që bënin ushtarët e xhenios të repartit të Dobrejit. Sapo mbërrija në punë më duhej të pushoja të paktën një orë nga dërrmimi i udhëtimit. Maja e Dobrejit ishin 1253 metra. Por nisja ishte shumë poshtë, ndoshta 400. Disniveli 850 metër.

Aty punova me kazëm, lopatë, çekiç e barominë për 5 apo 6 vera. Më duhej të bëja vrima në shkëmb, me barominë, për t’i mbushur me dinamit nga minatori ( që ishte një burrë i shkëlqyer dhe punëtor i jashtëzakonshëm). Ai vinte vetëm për të bërë shpërthimin sepse punonte shumë më poshtë në një kanal tjetër.

Vetmia në atë fresk më bënte të më kthjelloheshin mendimet. E urreja babain, edukatën e punës, punën, punëtorët. Ndër mend kisha vetëm një motiv: “Si të zhdukem nga kjo skëterrë”!

Diku nga mesdita, kur lodhja më kishte vënë përfundi dhe bateritë më kishin lënë, ulesha në një hije frashëri a lisi dhe këndoja me një forcë hakmarrëse plot gulç: “Revolucioni marshon….”.

Unë isha me ëndërra. Doja të luaja me shokët, të shkoja në lumë, të dilja në qytet. Doja të qeshja, të argëtohesha. Ka një kohë për të qenë fëmijë. Por babai im atëherë, ashtu si Gjergji sot, mendonte se kjo do të më forconte dhe do të më bënte të aftë për jetën.

Në fakt më bëri vetëm një gjë: Më shtoi urrejtjen për punën fizike, për babain dhe për të gjithë ata që më flisnin për punën. E gjithë jeta ime u kthye në funksion të gjetjes së një mënyre për të ikur nga skllavëria.

Por unë e kuptoj Gjergjin.

Predikimi i nënshtrimit, zënia e kohës së të rinjve me punë, ngritja në kult e respektit ndaj babait është një tendencë universiale. Është përpjekja e sisitemit për të mbajtur shoqërinë nën kontroll.

Misioni vërtetë nuk është ai që thuhet (edukata e punës) por nënshtrimi ndaj autoritetit. Dhe ku ka më bukur e më pranueshëm sesa nënshtrimi ndaj babës? Duke respektuar djali babën, baba Gjergjin dhe Gjergji Atëqësthuhet, arrihet ajo që sunon çdo autoritet- nënshtrimi kolektiv.

Por Gjergji duht të kuptojë që në çdo qelizë të atij djaloshi simpatik 14-15 vjeçar buis veç urrejtje për të. Për atë punë skllavi, 2 orë në ditë, që duhet të bëjë në emër të dashurisë për baabin dhe për punën. Ai mezi do të presë për të treguar të kundërtën e asaj që tha në kamera. Ai mezi do presë të vijë në protestë.

Por nuk e ka gjetur akoma mënyën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *