Zvërneci ka hyrë në fazën më të rrezikshme për Ramën!
Nga Klementin Mile
Zvërneci ka hyrë në fazën më të rrezikshme për Ramën!
Jo sepse protesta u rrit.
Por sepse beteja nuk është më për tokën.
Është për legjitimitetin.
Në ditën e gjashtë të protestës, Rama bëri një lëvizje strategjike shumë të rëndësishme: shkoi vetë në Zvërnec.
Shumë e lexuan si dialog.
Por në fakt ishte operacion kontrolli.
Ai nuk shkoi për të negociuar.
Shkoi për të ndalur kalimin e protestës nga faza emocionale në fazën politike.
Sepse protesta ka kaluar deri tani tri faza:
incidentin,
mobilizimin
dhe narrativën.
Faza tjetër është më e rrezikshmja:
axhenda kombëtare.
Dhe Rama po përpiqet ta bllokojë para se të arrijë aty.
Prandaj manovra e tij është:
flet me banorët, por jo me protestën.
Pranon shqetësime, por jo kushte.
Pranon dialog, por jo negocim.
Pra, përthith emocionin, pa lëshuar kontrollin.
Kur Rama tha:
“Jo 5 mijë, por 500 mijë veta të dalin në shesh nuk mjaftojnë”,
ai nuk i foli protestuesve.
I foli
administratës,
biznesit,
PS-së,
investitorëve
dhe gjithë sistemit që mbahet me idenë se pushteti nuk tërhiqet nga rruga.
Sepse Rama di diçka që protestuesit akoma nuk e kanë kuptuar plotësisht:
Po u krijua perceptimi se protesta mund ta ndalë këtë projekt,
atëherë krijohet precedenti që protesta mund të ndalë gjithçka.
Dhe aty fillon efekti domino.
Por edhe problemi strategjik i Ramës.
Sa më shumë rritet protesta,
aq më shumë ai zmadhon narrativën:
“Irani”,
“manipulimi nga inteligjenca artificiale”,
“nazizëm”,
“luftë hibride”,
“Shqipëria e shqiptarëve”.
Kjo funksionon për bazën militante socialiste.
Por jo domosdo për publikun gri.
Sepse publiku mund të besojë që ka manipulime.
Por e ka të vështirë të besojë që mijëra njerëz dolën në rrugë vetëm si instrument i ndonjë komploti global.
Dhe këtu protesta ka ende hapësirë strategjike.
Sepse frika reale e njerëzve nuk është vetëm resorti.
Frika është që pushteti mund të bëjë gjithçka,
dhe askush nuk e ndal.
Në momentin që protesta arrin ta kthejë këtë ndjesi në ndjesi kolektive kombëtare,
beteja ndryshon krejtësisht:
Nga “pro apo kundër një investimi” te “a ka apo jo kufi pushteti?”
Dhe historikisht, protestat bëhen të rrezikshme për sistemin, vetëm kur zhvendosen nga toka…
te morali.