24 Qershor, 2026

Bojkotojeni këtë fytyrë (dhe të tjerët si ai)

 Bojkotojeni këtë fytyrë (dhe të tjerët si ai)

Çim Peka, që PD e mban si gazetarin e vet kryesor, ka sulmuar sërish protestuesit kundër ndërtimit në Zvërnec.

Ai shkruan se protestat po organizohen nga Edi Rama.

Ja çfarë shkruan Peka, oborrtari i familjes Berisha, që ashtu si analistët e tjerë, majtas e djathtas, që kanë dalë kundër kësaj proteste, duhen bojkotuar.

Ja çfarë shkruan sot Peka:

Të gjithë jemi dëshmitarë kur, në janarin e këtij viti, i ndodhur në krizën më të madhe politike për shkak të dosjeve Balluku dhe AKSHI, Edi Rama iu ngjit si ai pas këpucës Ivanka Trump gjatë vizitës së saj në Vlorë dhe Zvërnec.

Mediat e kontrolluara nga Rama dhe paparacët e tij e ndoqën atë këmbë-këmbës për dy ditë me radhë. Arlind Qorri dhe qorrat e tjerë nuk vajtën as për të protestuar dhe as për t’ia zënë rrugën. Pse? Sepse nuk i interesonte Ramës.

Pak ditë më parë, në rrjetet sociale qarkulloi rrufeshëm një foto e bërë me inteligjencë artificiale, ku gardhi i ngritur në pronë private në Zvërnec mbante një tabelë me flamurin e Izraelit.

Kush e mban mend, arrin ta dallojë mirë se kjo protestë i ngjan, për nga organizimi dhe aktorët, protestës kundër armëve kimike. Atë protestë e pati organizuar vetë Edi Rama dhe rrjeti i tij i shoqatave. Protesta i doli nga kontrolli kur në lojë u fut opozita.

Para dy vitesh, Edi Rama ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura. Askush nuk u ngrit në protestë. Opozita e dërgoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, e cila mbajti anën e Ramës, dhe përsëri askush nuk protestoi.

Po para pothuajse dy vitesh, nga tribuna e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Edi Rama njoftoi iniciativën për shpalljen e shtetit bektashi, duke hequr pjesë të territorit shqiptar. Ata që sot protestojnë se “Shqipëria nuk është në shitje”, duhej të mos e linin të ulej në Rinas. Por nuk lëvizën vendit.

Tre vjet më parë, Edi Rama bëri marrëveshje me qeverinë italiane për një kamp refugjatësh në Gjadër, duke hequr juridiksionin e shtetit shqiptar nga ai territor. Patriotët e sotëm përsëri nuk protestuan.

Edi Rama i fali portin e Durrësit, bashkë me territorin përreth me një vlerë prej dy miliardë eurosh, një kompanie nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke hequr portin 2000-vjeçar dhe duke lënë Shqipërinë pa port. Opozita e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo përsëri mbajti anën e Ramës. Protestuesit e sotëm nuk u panë askund.

Edi Rama e kafshoi territorin e Butrintit për të ndërtuar resort dhe askush nuk u ngrit të protestonte.

Në 450 kilometra vijë bregdetare, Rama është lëshuar si i babëzitur duke dhënë leje për resorte, të cilat do të pastrojnë paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përsëri asnjë protestë.

Ajo çfarë dimë deri tani për Zvërnecin është se ajo është një pronë private, së cilës i është afruar një grup investitorësh të huaj, midis tyre edhe Jared Kushner, dhe se investimi llogaritet të kapë shifrën rreth 4 miliardë euro.

Zhurma dhe protesta kundër tij nuk kanë arritur të artikulojnë motivin apo se për çfarë po protestohet.

Dikush thotë për çështje pronësie.

Dikush tjetër për çështje korrupsioni.

Dikush tjetër për çështje ekologjike/mjedisore.

Ca të tjerë për çështje ideologjike.

Zëra të tjerë për çështje gjeopolitike, duke e lidhur me të ashtuquajturin pushtim izraelit.

Të gjithë atyre që protestojnë, mund edhe t’u thosha se zgjedhjet kanë pasoja dhe ju që votuat Edi Ramën e keni hak. Por kjo do të ishte një qasje cinike.

Sa më sipër, duke mos pasur një artikulim të qartë të atyre që protestojnë, s’na mbetet gjë tjetër veç të hamendësojmë se kush qëndron pas organizimit të kësaj proteste. Pikë së pari, duhet të bëjmë një dallim të qartë midis atyre që protestojnë me shpirt e zemër, pavarësisht se për çfarë protestojnë, dhe që janë shumicë, nga organizatorët me axhendë të caktuar.

Në kushtet kur Ramës i janë shkulur themelet në Ëashington, është në sjelljen e tij miskine që të përdorë protestat kundër familjes së Presidentit Trump për të rritur kreditet e tij me argumentin se po merr kosto prej tyre dhe se duhet të shpërblehet. I njëjti skenar si me armët kimike.

Retorika anti-izraelite, sikur këtu do të ndërtohet një koloni izraelite apo do të sillen palestinezë nga Gaza, ngjan me një dorë të huaj. Të jemi të qartë: shqiptarët, këtu futem edhe unë bashkë me ju, këtë nuk do ta lejojmë kurrë. Por deri tani unë nuk kam parë asnjë provë të tillë.

Konkurrenca e vendeve fqinje, apo edhe e aktorëve lokalë, kryesisht nga krimi i organizuar, nuk do të më habiste në kushtet e kapjes totale të shtetit. Ashtu sikundër nuk do të më habiste sikur të ishin të gjitha këto motive së bashku.

Në fund kam dy fjalë për opozitën. Edhe pse protestuesit mundohen ta bëjnë bashkëfajtore me Ramën, ajo nuk ka asnjë lidhje dhe i ka bërë të gjitha përpjekjet për ta ndaluar Ramën. Shumë nga ata që protestojnë sot, para një viti ose votuan Ramën, ose e ndihmuan atë. Ndaj ajo nuk duhet të ndihet e kompleksuar.

E thënë kjo, opozita duhet të dalë me një artikulim të qartë.

Së pari, axhendën e saj politike nuk e përcakton as Rama, as grupime marksisto-islamiste; as axhenda të huaja dhe as krimi i organizuar.

Së dyti, ajo duhet të vendosë interesat shtetërore mbi interesat partiake. Interes shtetëror përbën thithja e investitorëve të huaj seriozë, të cilët operojnë në përputhje me ligjet e vendit, duke përfshirë edhe familjen e Presidentit Trump. Protesta të tilla rrezikojnë të largojnë një herë e përgjithmonë investitorë të huaj seriozë.

Së treti, këtë protestë duhet ta shohë, midis të tjerash, edhe si përplasje midis sistemesh: nga njëra anë shteti ligjor, ekonomia e tregut dhe shenjtëria e pronës private, dhe nga ana tjetër revanshi revolucionar neo-marksist.

Së katërti, luftë pa kompromis me narko-regjimin e Edi Ramës deri në largimin e tij dhe dërgimin para ligjit të kujtdo që ka shkelur ligjin.

Dhe së pesti, ajo duhet të dalë me një artikulim të qartë se cili është vizioni i saj për zhvillimin ekonomik të vendit, me theks të veçantë te turizmi dhe investitorët e huaj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *