Një vendim skandaloz që vjedh shqiptarët dhe për të cilin s’flet askush
Nga Gjergj Erebara
Nëse doni të dini se çfarë mungese totale mendimi kritik ka në Kuvendin e Shqipërisë, nga maxhoranca por edhe nga opozita, vini re këtë:
Së fundmi është miratuar një ligj që detyron, mes të tjerësh, edhe dyqanin e bukës, që të pranojë pagesa me kartë.
Buka kushton 70, 100 apo 150 lekë. Banka kërkon minimalisht 30 lekë për procesimin e pagesës.
Fakti që një ligj i tillë është miratuar dhe kurrfarë debati publik nuk është bërë para dhe gjatë miratimit, flet shumë për gjendjen e demokracisë, por edhe për të ashtuquajturën media të lirë.
Në vend nuk ka më deputetë që të mendojnë, lexojnë, gjykojnë e debatojnë sepse deputetët në shumicë dërrmuese janë emëruar nga kryetari dhe nuk kanë interes t’i shërbejnë detyrës së përfaqësimit të votuesve.
Dhe media, ajo që sipas Ramës, reflekton deklaratat e tij dhe të Berishës, nuk është në gjendje as të monitorojë dhe të raportojë për çfarë ndodh ne Kuvendin e Shqipërisë.