Operacion blic në Sarandë e Ksamil: Dhjetëra urdhër-arreste për policë, zyrtarë e biznesmenë
Një operacion i gjerë është duke u zhvilluar në Sarandë dhe Ksamil, pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës ndaj efektivëve të policisë, zyrtarëve lokalë dhe biznesmenëve të dyshuar për shkelje që lidhen me ndërtimet pa leje.
Burime bëjnë me dije se urdhër-arrestet janë lëshuar për dhjetëra persona, mes tyre efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë, zyrtarë vendorë, si edhe ndërtues e biznesmenë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme në zonat bregdetare.
Operacioni po zhvillohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë.
Deri më tani raportohet se janë ekzekutuar dy urdhër-arreste, një ndaj një efektivi të policisë dhe një tjetër ndaj një biznesmeni, identitetet e të cilëve ende nuk janë bërë publike nga autoritetet.
Ndërkohë, kontrollet po vijojnë në banesa dhe ambiente të tjera me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe ekzekutimin e plotë të masave të sigurisë.
Sipas burimeve paraprake, hetimet lidhen me dyshime për favorizime, mosveprim institucional dhe përfshirje në skema të ndërtimeve pa leje në zonat turistike të jugut të vendit.
Operacioni
Masë sigurie është caktuar për kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë, Eduart Veliu.
Në listën e personave ndaj të cilëve janë marrë masa përfshihet edhe biznesmeni Alqi Papa, i lidhur me objektin “Oaz”, si dhe Irakli Kociu, oficer policie.
Ndërkohë, është arrestuar edhe Kristofor Shkrepa, specialist i policisë në Ksamil, ndërsa ndaj Kastriot Satka është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Masë sigurie është vendosur edhe për biznesmenët Arjola Dhrami dhe Xhaferr Bajo, lidhur me një objekt për të cilin më herët u arrestuan katër oficerë të Policia e Shtetit, mes tyre edhe ish-shefi i policisë së Sarandës.
Masë sigurie edhe për ndërtuesin Merdar Koshi, i cili dyshohet se ka ndërtuar dy kate pa leje në qendër të Sarandës.