21 Maj, 2026

Kina i del në mbrojtje Kubës pas akuzave të SHBA ndaj Raul Castros

 Kina i del në mbrojtje Kubës pas akuzave të SHBA ndaj Raul Castros

Kina i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndalojnë “kërcënimet” dhe “presionin” ndaj Kubës, pasi Washingtoni ngriti akuza për vrasje ndaj ish-presidentit kuban Raúl Castro.

Një gjykatë amerikane ka akuzuar 94-vjeçarin për komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë, lidhur me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996, incident ku humbën jetën katër persona dhe që për dekada ka tensionuar marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Kubës.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur presionin ndaj regjimit komunist në Havana, duke folur hapur edhe për rrëzimin e qeverisë kubane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi se SHBA-të duhet “të ndalojnë përdorimin e sanksioneve dhe sistemit gjyqësor si mjete presioni ndaj Kubës” dhe të “mos kërcënojë vazhdimisht me forcë”. Ai shtoi se Pekini “mbështet fuqimisht Kubën në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit të saj kombëtar”.

Akuza ndaj Castros lidhet me incidentin e 24 shkurtit 1996, kur avionë luftarakë kubanë rrëzuan dy avionë të grupit disident kubano-amerikan “Brothers to the Rescue”, që fluturonin mes Floridës dhe Kubës. Në atë kohë, Castro ishte ministër i Mbrojtjes dhe drejtues i forcave të armatosura kubane.

Presidenti aktual kuban Miguel Díaz-Canel i ka cilësuar akuzat si “manovër politike pa bazë ligjore”.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Havanës janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit. Administrata Trump ka vendosur sanksione të reja ndaj sektorëve energjetikë, financiarë dhe të sigurisë në Kubë, masa që kanë thelluar krizën ekonomike dhe mungesat e energjisë në ishull.

Kina dhe Kuba kanë forcuar ndjeshëm marrëdhëniet vitet e fundit, sidomos pas vizitës së presidentit Xi Jinping në Havana në vitin 2014 dhe përfshirjes së Kubës në nismën kineze “Belt and Road” në vitin 2018.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *