Ebola alarmon botën
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar shpërthimin e Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë si një “emergjencë të shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare”, pas rritjes së numrit të viktimave dhe rasteve të dyshuara.
Deri tani janë raportuar të paktën 88 viktima dhe më shumë se 300 raste të dyshuara të lidhura me Bundibugyo, një nga format më të rralla të virusit Ebola. Shqetësimi është rritur edhe më shumë sepse aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara për këtë variant specifik të virusit.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e bëri njoftimin të dielën, ndërsa drejtori i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Jean Kaseya, deklaroi se ndodhet në “panic mode”, pasi vendet e prekura nuk kanë mjaftueshëm ilaçe, vaksina apo pajisje mjekësore.
Ebola është një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet përmes lëngjeve trupore, si gjaku apo të vjellat, dhe ka një shkallë të lartë vdekshmërie, sidomos në zonat me mungesë infrastrukture shëndetësore.
Shumica e rasteve janë raportuar në provincën Ituri në lindje të Kongos, pranë kufirit me Ugandën dhe Sudanin e Jugut. Ndërkohë, Uganda ka konfirmuar dy raste, përfshirë një viktimë në Kampala, që dyshohet se lidhen me udhëtime nga Kongo.
Autoritetet paralajmërojnë se numri real i të infektuarve mund të jetë shumë më i lartë sesa raportimet aktuale, ndërsa lëvizjet e shumta të popullsisë dhe konfliktet në rajon rrisin rrezikun e përhapjes.
Ekspertët po negociojnë me kompani farmaceutike për përdorimin emergjent të testeve, vaksinave dhe trajtimeve eksperimentale, megjithëse OBSH thekson se ende nuk ka asnjë terapi specifike të aprovuar për variantin Bundibugyo.
Gazetarët e Associated Press në kryeqytetin e Iturit, Bunia, intervistuan vendasit të cilët thanë se kishte pasur një numër jashtëzakonisht të lartë varrimesh dhe se ishin të frikësuar.
Megjithatë, OBSH sqaroi se situata aktuale nuk konsiderohet ende pandemi globale, por shpallja e emergjencës synon të nxisë thirrjet për ndihmë dhe koordinim ndërkombëtar sa më shpejt.