Shqipëria drejt BE-së thonë, por shikoni ku kalojnë banorët e fshatit Anë Vjosë në Tepelenë
Pasarela në fshatin Anë Vjosë është kthyer në një nga pikat më të rrezikshme të kalimit për banorët e zonës.
E ndërtuar që në kohën e komunizmit, kjo urë e vogël këmbësorësh ka arritur t’i rezistojë viteve, por prej më shumë se pesë vitesh po shkon drejt degradimit të plotë.
Gjendja e saj është alarmante: në shumë segmente mungojnë dërrasat, ndërsa në vend të tyre banorët kanë vendosur në mënyrë provizore degë pemësh, të cilat nuk ofrojnë asnjë siguri.
Dërrasat e mbetura janë të kalbura, duke e bërë çdo hap një sfidë të vërtetë dhe një rrezik potencial për jetën.
Kjo situatë prek jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët, të cilët detyrohen të kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollën e bashkuar në Iliras.
Për të shmangur rrezikun, shumë prej tyre zgjedhin një rrugë alternative, duke përshkuar kilometra të tëra në këmbë.