Mirela Kumbaro nxjerr fotot e mbledhjes ku Rama bëri për “ujë të ftohtë” Tërmet Peçin
Mirela Kumbaro ka postuar disa foto nga mbledhja e pak ditëve më parë, në të cilën merrte pjesë edhe Edi Rama.
Mbledhje, në të cilën kryeministri bëri për ujë të ftohtë Tërmet Peçin, duke e akuzuar për përçarje mes socialistëve të Qarkut Gjirokastër.
“Me strukturat drejtuese socialiste të të shtata bashkive të qarkut Gjirokastër, mirëpritëm kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në një takim të zgjeruar për të ndarë objektivat e ekipeve tona nën programin “Punët e Shqipërisë”, në vijim edhe të vendimeve të Asamblesë Kombëtare, ndërsa kemi mbyllur pjesën e parë të kësaj maratone që ka forcuar frymën dhe ka rindezur pasionin dhe komunikimin si motorët më të sigurt drejt një tjetër rezultati historic si të votave për Partinë Socialiste, që siguruam zgjedhjet e shkuara, ashtu edhe përqindjes më të lartë të votave nga Diaspora falë lidhjeve të forta që ruajmë.
Jemi gati që tok me 201 organizatat socialiste të të 7 skuadrave tona të zgjedhim kryetarët dhe bashkëkryetarët e rinj për t’i dhënë energji, ide e një hov tjetër punëve tona”, shkruan Kumbaro.
Mes fotove të shumta, ajo ka postuar edhe një foto duke takuar Tërmet Peçin, për të treguar se pas sherrit, janë “pajtuar”.
Por, vështirë se konfliktet e tyre mbyllen me një përqafim.




