“Hiqeni qafe në çfarëdo mënyre” – Baton Haxhiun e thërrasin në Prokurori
Baton Haxhiu, pas thirrjes në SPAK disa kohë më parë, këtë radhë është thirrur në Prokurorinë e Kosovës.
Këtë radhë jo për përfshirje të mundshme në afera korruptive, si në Shqipëri, por për disa deklarata publike ndaj Albin Kurtit.
Një prej tyre, ishte: “Hiqeni qafe në çfarëdo mënyre”.
Thirrjen e tij në Prokurori, e ka bërë të ditur vetë Haxhiu.
“Një prokuror në Gjykatën Themelore, me emrin Arianit Salihu, kishte autorizuar dy hetues që të më intervistonin për një deklaratë publike timen, duke e kthyer një analizë politike në objekt procedurial. Sot isha në hetuesi.
Dhe ajo që pashë nuk ishte vetëm një procedurë, por një keqkuptim që ka marrë formë institucionale.
Nuk isha atje për një veprim, për një fakt apo për një ngjarje që kërkon zbardhje. Isha për një fjali dhe për ta respektuar institucionin, edhe pse iu bëra të qartë se kjo është për të ardhur keq.
Një fjali të thënë publikisht, në një studio televizive, në një kontekst të plotë, të dëgjuar dhe të kuptuar nga publiku”, shkruan ai.
Haxhiu thotë se deklarata e tij, është keqkuptuar:
“Dhe kur fjala lexohet gabim nga një qytetar, është keqkuptim. Kur lexohet gabim nga një analist, është debat. Por kur lexohet gabim nga një prokuror dhe kthehet në procedurë, atëherë kemi problem, sepse një prokuror nuk ka luksin e keqleximit.
Ai duhet të dallojë mes fjalës dhe veprimit. Mes metaforës dhe thirrjes. Mes analizës dhe nxitjes”. (Thuaje.al)