VIDEO/ Mafia e pronave dhunon të moshuarën dhe djalin e saj, policia shoqëron viktimën në vend që të ndalojë dhunuesit
Nga Arben Llangozi
Kjo video është e tmerrshme dhe dëshmon gjendjen alarmante ku ndodhen institucionet e vendit. Në një shtet normal, policia duhet të jetë garant i jetës, sigurisë dhe dinjitetit të qytetarit. Por në këtë rast, ajo nuk shfaqet si institucion që parandalon krimin, por si trupë që qëndron përballë viktimës dhe vepron kundër saj.
Një qytetare e moshuar dhunohet nga persona që sillen si pronarë të ligjit, ndërsa policia, në vend që të ndalojë dhunuesit dhe të garantojë rendin publik, zgjedh të shoqërojë të moshuarën e cila në fund të videos bije pa ndjenja. Kjo është pamje e rëndë e një shteti që ka braktisur qytetarin dhe ka lejuar që mafia e pronave të veprojë hapur, me arrogancë dhe me mbrojtje institucionale.
Më e rëndë akoma është fakti se e moshuara, në këtë situatë presioni dhe dhune, bie pa ndjenja. Kjo nuk është thjesht një ngjarje individuale. Kjo është pasqyra e një sistemi ku qytetari i pambrojtur përballet jo vetëm me dhunën private, por edhe me indiferencën, keqpërdorimin ose nënshtrimin e institucioneve publike ndaj interesave të krimit.
Ku është shteti? Ku është Prokuroria Durrës, sa para ka marrë? Ku është Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat? Ku janë strukturat që duhet të kontrollojnë sjelljen e policisë?
Kur policia nuk mbron të moshuarin, por e shoqëron atë; kur nuk ndalon agresorin, por rëndon mbi viktimën; kur nuk parandalon krimin, por duket sikur i hap rrugë atij, atëherë nuk kemi më vetëm problem rendi publik. Kemi problem të rëndë të kapjes së shtetit nga interesat kriminale.
Kjo ngjarje duhet të hetohet menjëherë, me identifikimin e çdo personi të përfshirë, çdo efektivi të pranishëm dhe çdo urdhri të dhënë në atë vendngjarje. Përgjegjësia nuk mund të mbulohet me heshtje, sepse kur një e moshuar bie pa ndjenja përballë policisë, nuk bie vetëm një qytetare. Bie autoriteti i shtetit, bie besimi te ligji dhe bie çdo pretendim se institucionet ekzistojnë për të mbrojtur njerëzit.
Kjo video ka ndodhur në Golem Kavajë. Dhe dhunuesit e vërtetë janë punonjësit e policisë Kavajë…
Rexhep Ademi, djali i nënë Ishes, i lënë i masakruar, ndërsa institucionet heshtin pas marjes së “thesit me para”
Pamjet e videos së dytë janë tronditëse dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm institucional. Sipas denoncimit publik, Rexhep Ademi, djali i nënë Ishes, është dhunuar rëndë dhe është lënë në gjendje të rëndë fizike, ndërkohë që dyshimet bien mbi persona të lidhur me interesa kriminale, me mbështetje politike dhe me mosveprim ose bashkëveprim të strukturave që duhet të garantonin rendin dhe sigurinë.
Rasti bëhet edhe më i rëndë kur kjo ngjarje shihet në vazhdimësi me episodin e parë, ku nënë Ishe, një e moshuar 75-vjeçare, sipas pamjeve, është dhunuar nga vetë uniformat. Në vend që qytetarët të mbroheshin, ata përfunduan të përballur me forcë, presion dhe gjuhë çnjerëzore. Në vend që policia të parandalonte dhunën, dyshohet se ajo u kthye në pjesë të problemit.
Në videon e dytë, gjendja e Rexhep Ademit tregon qartë pasojat e një dhune të rëndë. Kjo nuk mund të trajtohet si konflikt i zakonshëm, as si një incident i izoluar. Kur një familje përballet me dhunë të përsëritur, kur në mes përmenden interesa pronash, struktura kriminale, prokurori dhe polici, atëherë çështja nuk është më vetëm personale. Ajo bëhet çështje publike, çështje drejtësie dhe çështje përgjegjësie shtetërore.
Akoma më shqetësues është fakti se, sipas denoncimit, para ndërhyrjes në banesë është ndërprerë energjia elektrike, me sa duket për të penguar regjistrimin e ngjarjes nga kamerat e sigurisë. Por kamerat e lidhura me panele diellore kanë vijuar të funksionojnë dhe kanë dokumentuar atë që dikush mund të ketë dashur ta mbajë të fshehur. Kjo rrethanë ngre dyshime serioze për veprime të paramenduara, për tentativë për fshehje të provave dhe për përdorim të strukturave shtetërore në favor të palëve të forta.
Në një shtet normal, këto pamje do të mjaftonin për pezullime të menjëhershme, hetim të pavarur, ekspertim të pamjeve filmike, administrim të provave, marrje në pyetje të çdo punonjësi policie të pranishëm.