Raporti tronditës: Pse u mbyt super jahti i miliarderit britanik, që shkaktoi vdekjen e tij dhe 6 të tjerëve
Mbytja e superjahtit luksoz të manjatit britanik të teknologjisë Mike Lynch në brigjet e Siçilisë nuk u shkaktua nga një stuhi katastrofike, por nga veprimet e ekuipazhit, sipas një raporti tronditës.
Ekspertët e kontraktuar nga prokurorët italianë u ngarkuan të hetonin kushtet e motit në Detin Tirren më 19 gusht 2024, kur jahti “Bayesian” i miliarderit Mike Lynch u përmbys dhe u fundos, duke e vrarë atë, vajzën e tij adoleshente dhe pesë persona të tjerë.
Një raport fillestar zbuloi se stuhia që u perceptua si vdekjeprurëse ishte “pak më shumë se një rrebesh i fortë” dhe e menaxhueshme kur u përplas me anijen 56 metra të gjatë në ujërat italiane, raportoi Sky News.
Raporti paraprak ia atribuon përgjegjësinë anëtarëve të ekuipazhit për nënvlerësimin e forcës së stuhisë, veprime të papërshtatshme gjatë situatës kaotike dhe mungesën e disa pajisjeve të sigurisë.
Më parë, ekspertët kishin hedhur teorinë se anija u përmbys gjatë një stuhie të njohur si “mjelma e zezë”, kur një formim i papritur i një vorbulle uji të ngjashme me tornadot goditi mjetin lundrues.
Zyra e prokurorit publik në qytetin sicilian Termini Imerese po zhvillon një hetim penal për këtë mbytje fatale.
Kapiteni James Cutfield, kryeinxhinieri Timothy Parker Eaton dhe marinari Matthew Griffiths mund të përballen me akuza penale, përfshirë mbytje nga pakujdesia dhe disa akuza për vrasje nga pakujdesia.
Griffiths, i cili ishte në turnin e natës, “nuk e kuptoi që anija kishte marrë ujë” dhe akuzohet për pakujdesi për shkak të “keqmenaxhimit, pakujdesisë dhe mungesës së përvojës”, sipas dekretit të prokurorisë.
Dy vartësit nuk e paralajmëruan siç duhet kapitenin për rrezikun, ndërsa kapiteni nuk i njoftoi pasagjerët për “rrezikun e një mbytjeje të afërt”, pretendojnë prokurorët.
Ndërtuesi i anijes, Perini Navi, mund të mbahet përgjegjës për aksidentin, pasi jahti 37 milionë dollarësh, i cilësuar si “i pambytshëm”, u përpi nga ujërat e Detit Mesdhe në më pak se 16 minuta.
Lynch, 59 vjeç, po priste 11 të ftuar të tjerë, përfshirë bashkëshorten dhe vajzën e tyre 18-vjeçare Hannah Lynch, në bord kur ndodhi katastrofa pak para orës 05:00 të mëngjesit.
Sipas Zyrës së Hetimeve të Aksidenteve Ujore, Cutfield po përpiqej ta orientonte anijen kundër erës kur “era u rrit papritur në më shumë se 70 nyje”, sipas një raporti të përkohshëm.
Anija u përmbys me dhunë 90 gradë në të djathtë për më pak se 15 sekonda. Ky ndryshim i menjëhershëm ndërpreu menjëherë funksionimin e gjeneratorëve, thuhet në raport. E veja e Lynch, Angela Bacares, i mbijetoi mbytjes së bashku me 15 persona të tjerë pranë Porticello.
Bacares, e cila kishte prerë këmbët nga xhami gjatë arratisjes nga anija, u urdhërua të paguajë mbi 1.2 miliardë dollarë në mars, në lidhje me një proces gjyqësor të vitit 2015.
High Court of Justice në Londër i dha Hewlett-Packard një dëmshpërblim me vlerë mbi 10 shifra pasi kompania fitoi çështjen për të rikuperuar humbjet nga blerja në vitin 2011 e kompanisë së Lynch, Autonomy.
Lynch ishte shpallur fajtor për fryrjen artificiale të vlerës së kompanisë së softuerit përpara shitjes tek HP. Bacares përballet me falimentim të sigurt pas këtij vendimi, pasi trashëgoi pasurinë e bashkëshortit të saj prej 669 milionë dollarësh.