Kështjella e Edit
Nga Migena Aleksi
A është normale që një drejtues të asfiksojë mendimin ndryshe brenda familjes së tij politike? Përgjigjja e prerë është jo. Nuk është as normale, as demokratike dhe, mbi të gjitha, as produktive.
Megjithatë, ajo që në botën e qytetëruar konsiderohet anomali, në habitatin tonë politik është shndërruar në normë, në një lloj “kodi gjenetik” të partive shqiptare.
Edhe Partia Socialiste, e cila historikisht ka ruajtur një lloj tradite të replikave të brendshme, ka rrëshqitur drejt modelit të unit absolut.
Një parti e shëndetshme duhet të jetë një organizëm i gjallë, një arenë ku përplasen idetë për të nxjerrë në dritë zgjidhjet më të mira. Mendimi ndryshe duhet të ishte busulla që parandalon humbjen e rrugës.
Pa këtë mekanizëm, partia pushon së qeni një bashkim vullnetar njerëzish dhe kthehet në një repart ushtarak të heshtur.
Ka edhe një ironi therëse në këtë histori. Dikur, eksponentët e Partisë Socialiste e kishin kalë beteje talljen me Partinë Demokratike, duke e akuzuar për kultin e njëshit, për verbërinë ndaj liderit dhe mungesën e frymës kritike.
Sot, koha ka bërë një rrotullim cinik. Ajo PS që krenohej si më e hapur dhe më kolegjiale, është dorëzuar para të njëjtit model që dikur anatemonte.
Lideri dikton, oborri duartroket, “baza” duhet të heshtë, në llogore. Fytyrë-vrenjturi në krye flet si i vetmi zotërues i të vërtetës. Të tjerët, duhet të jenë thjesht ekzekutorë pa zë. Një forum politik i shndërruar në një kor tundës kokash. Sa qesharake! Çfarë mjerimi!
Vetë Edi i gjatë nuk kursen asnjë epitet për të sharë diktaturën e dikurshme. Por, nga ana tjetër, sjellja e tij brenda strukturave të pushtetit lundron hapur në ato ujëra që ai thotë se urren. Modernisti që përbuz trashëgiminë komuniste sillet si arkitekti i një monizmi të ri.
Kjo metamorfozë e Partisë Socialiste nuk është problem i brendshëm i një force politike dhe kaq. Ajo është simptomë e rëndë e degradimit të mëtejshëm të sistemit dhe shoqërisë.
Historia na ka mësuar se sa më shumë të lartohet kulti i njëshit, aq më shumë do zvogëlohet liria e të gjithëve.