“Armiqtë” e egër, që i bashkon lufta kundër SPAK
Ka një detaj, kaq publik dhe të hapur, sa tregon qartë, që kur iu preken interesat, si PS, ashtu dhe PD, bashkë me analistët e tyre ushtarë, nuk ua ndjen fare ta fshehin se kanë të njëjtin hall dhe janë bashkë.
Dhe ai që i ka bërë bashkë, është SPAK.
Jo mbështetja ndaj tij, kuptohet, por lufta frontale që i kanë hapur.
Sali Berisha dhe Ilir Meta, në fakt, kanë qenë haptazi kundër që në fillim dhe u detyruan që ta votonin ngritjen e SPAK.
Socialistët dhe mediat e tyre, nga ana tjetër, shfaqeshin entuziastë pro SPAK, madje “fluturonin” kur arrestoheshin Berisha dhe Meta.
Gjithçka ndryshoi pastaj me Erion Veliajn, dhe së fundmi me Belinda Ballukun.
SPAK me sa duket kaloi vijën e kuqe të vendosur nga PS dhe tashmë socialistët dhe analistët e paguar nga ta, janë edhe më të egër se SPAK, edhe se Berisha dhe mediat e tij.
Dhe e sulmojnë nga mëngjesi në darkë, PS, PD, analistë e çdo lloj llumi që paguhet nga lekët e korrupsionit shtetëror, me argumente nga më qesharaket.
Kuptohet, SPAK nuk është engjëll.
Prokurorët e kësaj strukture mund të kenë mëkatet e tyre.
Por fakti që po sulmohet kaq egërsisht nga politika dhe media që financohet nga lekët e korrupsionit, flet në favor të drejtësisë së re dhe ta shton respektin për SPAK.
Vetëm për këtë, tregon se nuk po punon aq keq.
Nuk është pak të kesh të pandehur ish-presidenta, ish-kryeministra, ministra, zv.kryeministra e kryebashkiakë.
Deri dje, as që mund të mendohej kjo gjë. (Thuaje.al)