Dy amanete, që tregojnë se në Shqipëri kujtohen veç kur vdes të “respektojnë”
Fatos Sela la amanet të mos dilte nga dera e Teatrit Kombëtar, siç është bërë traditë për lamtumirat e aktorëve të shquar.
Misterin pse e refuzoi daljen nga dera e TK, e mori me vete.
Vetëm kaq mund të thoshte, ky qe amaneti: “Mos më çoni në Teatër”.
“Kur e ndjeu se do ikte e tha disa herë, mos më çoni në Teatër”.
Kështu rrëfeu Natasha, bashkëshortja e tij, kur e pyetën sesi ndodhi.
Një amanet të tillë e la edhe Rexhep Qosja, që ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.
“Nuk dua kamera, as televizione, as politikanë e as njerëz të njohur të vijnë të më përcjellin në varr. Nuk dua lot fallco apo muhabete të ndryshme mbi trupin tim”.
Amaneti i shkrimtarit dhe akademikut të madh Rexhep Qosja, është më shumë se sa një mesazh apo një dimension dëshire.
Është një thirrje publike për të mos bërë askush paradë mbi vdekjen e çdo artisti dhe shkrimtari shqiptar.
Ca më tepër, është një kritikë shumë e fortë, për të gjithë ata që u thurin lavde me e çertifikata mirënjohjeje artistëve e shkrimtarëve, gjithmonë pas vdekjes.
Ndaj dhe i madhi Fatos Sela, me siguri për këtë arsye s’ka dashur ceremoni dhe pritje publike, ku do shfaqeshin politikanë e njerëz që nuk të vlerësojnë kur je gjallë, por veç kur vdes.