Vrasja e Endri Goxhajt, banorët e Memaliajt: S’e dimë si është puna, ishte djalë i vetëm dhe kujdesej për prindërit e sëmurë. S’kemi dijeni për pazaret e drogës
Vrasja e 30-vjeçarit Endri Goxhaj mbrëmjen e së mërkurës në Memaliaj ka lënë të tronditur banorët e zonës të cilët kanë dhënë prononcime për mediat për ngjarjen e rëndë.
Sipas deklaratave të tyre Endri ishte djali i vetëm i dy prindërve të sëmurë për të cilët kujdesej. “Na ka ardhur keq për të dyja familjet për Zotin, se jemi nëna s’durojmë dot. Endri ka qenë djal i vëtëm, dhe prindërit i ka të sëmurë babain e ka këmbën të prerë nga diabeti, nënën po e ka të sëmurë prap” shprehet një prej banoreve të pyetura nga Top Channel.
Banorët në tronditje thonë se nuk kanë informacion për atë që ka ndodhur: “Unë i kam aty ballë për ballë, kur mbërriti policia s’dinim asgjë, edhe sot nuk dimë se si është puna. Të tronditur jemi por gjë nuk dimë” kanë thënë bënorët ndër të tjera.
Ndërkohë kujtojmë se siç raportuam dhe më herët ngjarja u regjistrua në ambientet e një lokali në Memaliaj dhe dyshohet se ka qenë vazhdimi i një përplasje të hershme mes dy grupeve. Burime për mediat bëjnë me dije se në ngjarje janë përfshirë dy grupe të ndryshme, të cilët kanë hapur zjarr kundrejt njëri-tjetrit.
Si pasojë e plumbave, fatkeqësisht mbeti i vdekur Endri Goxhaj, i njohur edhe me nofkën “Supe”, ndërkohë që i plagosur rëndë mbeti Dali Nela, 25-vjeç, vëllai i dy personave të dyshuar si autorë të krimit. Ndërkohë janë vënë në pranga shtetasit 47-vjeçari Aldo Kalemi dhe 25-vjeçari i plagosur Dali Nela. Në pranga gjithashtu është vënë dhe shtetasi me inciale E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj,i cili akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërsa vijon të mbetet akoma në arrati 29-vjeçari Donald Nelaj dhe vëllai i tij, shtetasi Marialdo Nelaj 28 vjeç, të cilët janë në kërkim pasi akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Burimet hetimore bëjnë me dije se konfliktet mes palëve kanë qenë të hershme dhe dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale, përfshirë edhe trafikun e lëndëve narkotike. Donaldo Nela rezulton person me precedentë penalë dhe më herët ka qenë i përfshirë në hetime për trafik droge dhe një grabitje të armatosur në Tepelenë. Po ashtu, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të goditur në vitin 2018.