Bota pas Trump-it
Nga George Papaconstantinou , Jean Pisani-Ferry
Kur kryeministri kanadez Mark Carney vërejti më herët këtë vit se bota është “në mes të një çarjeje, jo një tranzicioni,” ai përshkroi një realitet që shumica e qeverive kanë qenë të ngadalta ta pranojnë.
Rregulli ekonomik ndërkombëtar që ka mbizotëruar që nga viti 1944 ka marrë fund përgjithmonë. Pyetja tani është se çfarë do të vijë më pas.
Përgjigjja mbetet e paqartë. Por disa veçori të peizazhit në zhvillim janë tashmë të sigurta, dhe ato duhet të udhëheqin mënyrën se si Evropa dhe fuqitë e mesme botërore do të lundrojnë në këtë terren të ri.
Së pari, sistemi i Bretton Woods nuk është më një ankorë funksionale. Brishtësia e tij e zbuloi kriza financiare e vitit 2008, dhe dështimi i tij për të adresuar pasojat e pabarabarta të pandemisë COVID-19 e minoi edhe më shumë legjitimitetin e tij. Por goditja vendimtare erdhi nga brenda: Shtetet e Bashkuara, ankora dhe arkitekti kryesor i sistemit, po e braktisin atë.
Kombinimi i shumëpalëshmërisë në shkatërrim dhe i një administrate amerikane që braktis rolin e saj global ka sjellë një çarje të pakthyeshme.
Së dyti, tregtia globale nuk do të kthehet në nivelin e mëparshëm të hapjes, kryesisht për shkak të forcave strukturore. Teprica tregtare e Kinës tejkaloi 1 trilion dollarë në vitin 2025, e nxitur nga prodhimi. Ky vend tani përbën rreth 35% të prodhimit të përpunimit të botës dhe mund të furnizojë pothuajse çdo mall industrial.
Në të njëjtën kohë, presidenti Donald Trump ka rritur tarifat amerikane në nivelet më të larta që nga vitet 1930, me të ardhura të parashikuara prej 2–3 trilionë dollarësh gjatë dekadës së ardhshme.
Duke qenë se këto të ardhura të parashikuara janë përdorur për të financuar uljet e taksave familjare, kthimi mbrapa do të kishte kosto të larta politike për çdo administratë të ardhshme.
Së treti, shembja e rendit global ka implikime normative. Duke tërhequr SHBA-të nga 66 organizata ndërkombëtare dhe duke fshirë vijën ndarëse midis interesave personale dhe atyre publike, Trump ka shkatërruar kodin informal dekadash, sipas të cilit shmangeshin konfliktet e interesit, respektoheshin institucionet e pavarura dhe mbështeteshin organet shumëpalëshe. Vetëm deklaratat nuk do të rindërtojnë atë që ka marrë dekada për t’u ndërtuar.
Kjo nuk do të thotë se qeverisja globale është e pamundur. Por ajo duhet të rikonceptohet si një projekt më modest.
Një model i vetëm i bazuar në tregje të hapura, sundimin e ligjit, institucione të pavarura dhe një ombrellë sigurie amerikane nuk është më realist. Ajo që mbetet e mundur është diçka më e ngjashme me një kondominium, me rregulla që i përshtaten preferencave kombëtare, ndërsa ndalojnë veprimet që i imponojnë kosto të tjerëve ose dëmtojnë të mirat e përbashkëta globale.
Një pikënisje e dobishme është korniza e propozuar nga ekonomisti i Harvard-it, Dani Rodrik, e cila synon të kufizojë politikat “beggar-thy-neighbor” (që dëmtojnë fqinjët) dhe të mbrojë të mirat e përbashkëta globale, duke lënë hapësirë për diversitet kombëtar.
Nëse zbatohet në mënyrë efektive, një kornizë e tillë do të përjashtonte shumicën e asaj që ka bërë administrata Trump. Tarifat që dëmtojnë kryesisht vendin që i vendos mund të kalojnë këtë test, por politikat që ç’stabilizojnë sistemin financiar global ose minojnë bashkëpunimin për klimën nuk do të kalonin.
Sfida kryesore, megjithatë, është zbatimi.
Me SHBA-të të munguara ose aktivisht armiqësore, kush do të vendoste dhe do të mbante rregullat? Këtu qëndron testi më i vështirë—dhe mundësia më e madhe—për fuqitë e mesme dhe për Evropën.
Sistemi monetar ndërkombëtar është një shembull i tillë. Dominimi i dollarit ka mbijetuar rënien e sistemit të Bretton Woods të kurseve fikse të këmbimit në vitin 1971, ngritjen e euros dhe kriza të shumta. Por me presionin që tani vjen nga vetë SHBA-ja, pozicioni global i dollarit nuk është më i sigurt.
Paradoksalisht, rritja e stablecoins-ve të denominuara në dollarë ka forcuar kërkesën për dollarin. Por sulmet e Trump-it ndaj pavarësisë së Rezervës Federale, rritja eksplozive e borxhit publik të SHBA-ve dhe fragmentimi i tregtisë globale po minojnë themelin e primatit të dollarit.
Nëse kreu i ardhshëm i Fed-it do të reduktonte linjat e shkëmbimit valutor që kanë shërbyer si huadhënës global i fundit që nga viti 2008, pasojat për stabilitetin financiar do të ishin të rënda.
Me kalimin e kohës, një sistem monetar shumëpolar duket më i mundshëm sesa një kalim i thjeshtë nga dollari te renminbi. Monedha kineze mbetet e kufizuar nga kontrollet e kapitalit dhe hezitimi i qeverisë për të marrë përsipër përgjegjësitë e një lëshuesi rezervash. Megjithatë, dominimi i Kinës në prodhim e bën thuajse të sigurt një rol më të madh rajonal për renminbi.
Ndërkohë, euro ka themelet institucionale dhe thellësinë e tregut për të zgjeruar rolin e saj, me kusht që Evropa të mund të mobilizojë vullnetin politik për ta mbështetur atë.
Udhëheqësit evropianë prej kohësh kanë kuptuar se rendi global po fragmentohej, megjithatë ata vazhduan të sillen sikur sistemi i mbështetur te SHBA-të do të vazhdonte pafundësisht. Në këtë kuptim, presidenca e dytë e Trump ka qenë një zgjim i hidhur.
Por reagimi i BE-së ka qenë i paqëndrueshëm dhe i hezituar. Blloku ka pranuar një tarifë 15% të SHBA-ve për mallrat evropiane në vend që të përshkallëzojë tensionet me Trump, dhe vetëm tani po finalizon marrëveshjet tregtare me Mercosur dhe Indinë që duhej të ishin përfunduar vite më parë.
Teksa politikanët fillojnë të konsiderojnë një rol më të rëndësishëm ndërkombëtar për euron, ata gjithashtu po vënë në dyshim nëse bonot e Thesarit të SHBA-ve duhet të ruajnë statusin e tyre automatik pa rrezik sipas rregullave bankare të BE-së.
Ajo që BE-ja ende nuk e ka bërë është të udhëheqë. Sa i përket reformës së Organizatës Botërore të Tregtisë, propozimet e Komisionit Evropian mbeten të paqarta dhe nuk trajtojnë se si mund të mbahet një sistem shumëpalësh pa SHBA-të.
Teksa janë qarkulluar propozime serioze për instrumente të ngjashme me eurobondet, ato nuk janë përkthyer në angazhim politik. Ndoshta më e rëndësishmja, BE-ja nuk ka zhvilluar një strategji koherente për Kinën.
Autonomia më e madhe ekonomike dhe teknologjike nuk duhet të ngatërrohet me një tërheqje nga globalizimi. Ajo është një parakusht për angazhim domethënës në një botë më të fragmentuar, qoftë me Kinën, një administratë të ardhshme amerikane, apo fuqitë e mesme, në linjat e asaj që presidenti finlandez Alexander Stubb e kishte quajtur “realizëm i bazuar në vlera.”
Alternativa ndaj rendit të bazuar në rregulla, të udhëhequr nga SHBA-të, nuk duhet të jetë kaosi. Ajo për të cilën bënte thirrje Carney është pikërisht ajo që kërkon ky moment: një koalicion vendesh të gatshme të veprojnë si vendosës të agjendës dhe ruajtës të besueshëm të rregullave në një botë më pak të rregullt.
Një koalicion i tillë duhet të përfshijë modele të ndryshme ekonomike, duke refuzuar sjelljen haptazi jo-bashkëpunuese. Ai duhet të investojë në qëndrueshmërinë e brendshme si bazë për angazhimin ndërkombëtar. Dhe ai duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për stabilitetin global, në vend që të presë që SHBA të kthehet në rolin e saj të mëparshëm.