Rikard Ljarja, epitafi i një shpirti prej drite
Që prej 20 prillit të vitit 2020, Rikard Ljarja u shkëput nga përkohshmëria për t’u bërë banor i përjetësisë, duke u shndërruar në një gur themeli në kujtesën e brezave. Ai mbetet përkorja e mishëruar e artit, një shpirt prej drite që e ndërtoi jetën si një katedralje vlerash. Ljarja u largua duke lënë pas realen e një ëndrre të gjatë pasioni dhe përkushtimi, një testament etik që çdokush do ta dëshironte të gdhendur në epitafin e nderimit. Jeta e tij nuk ishte thjesht një rrugëtim, por një vepër e kuruar me finesë, një thesar i çmuar i traditës sonë skenike. U shua siç shkrihen zjarret e mëdha, për të lënë pas Feniksin e shpirtit që rilind në çdo altari të besimit dhe në çdo lutje të artit.
Do të mungojë prania e atij soji krijuesi, që pipëtinte në heshtjen e ngulmeve të nënzëshme, duke blatuar orë të pafundme përkushtimi përballë zhurmës së botës. Ai ishte “përndjekësi” i përpiktë i çdo detaji, duke e kthyer të çdoditshmen në një shenjtëri me shkulm eteri, që shndërrohej në art të kulluar. Ky njeri i përkorë dhe vetëmohues qëndronte në simbiozë të plotë me modelin e fisnikut shkodran; një shpirtëzim i rrallë, të cilit ai i fali gjithëçka që sot e mban atë të gjallë në panteonin e vlerave tona.
Me një modestinë që shpeshherë e ktheu në “burg” të qëllimshëm, ai refuzoi pompozitetin dhe ndere të zhurmshme, edhe pse i meritonte si pakkush. Përtej mureve të heshtjes që ndërtoi, ai besonte vetëm te puna e palodhur. Krijoi një galeri rolesh ku dominonte aktori, por nuk qëndroi kurrë në periferi të vlerësimit as si regjisor, skenarist, shkrimtar, piktor apo muzikant, fusha ku ai derdhi esencën e shpirtit të tij.
Lindi, jetoi, krijoi dhe u shua si një fisnik i vërtetë shkodran. Këtë përkatësi ai nuk e përdori kurrë si një piedestal për t’u ngritur mbi të tjerët, por si një barrë të ëmbël përgjegjësie, të cilën e mbajti me dinjitet deri në fund. Sot, asnjë studiues apo kritik nuk mund ta vërë në dyshim këtë peshë morale. Kinematografia shqiptare gjeti te Rikard Ljarja mishërimin e vlerave mbi të cilat u ngritën karakteristikat unike të filmit tonë.
Edhe pse ideologjia detyruese e realizmit socialist rrekej të shuanin vezullimin e çdo ylli, Ljarja mbeti i panjollosur. Ai diti të ishte i mirë me të gjithë, edhe kur rrethanat ishin armiqësore. Dora e tij e ndihmës nuk kurseu asnjëherë pasionin, sepse besonte se çdo qenie njerëzore ka një shpirt për të blatuar në themele të artit.
Në panteonin e historisë, Rikard Ljarja ka një vend të privilegjuar, jo përfitimi, por angazhimi dhe kontributi. Rolet që ai jetësoi, personazhet që pavdekësoi me shpirtin e tij të amshuar, ishin dëshmia e një përvoje të gjatë sprovash, ku ai la gjurmë të pashlyeshme. Ai u bë mishërimi i vullnetit ngjizës, i një ligjësie krijuese që i jepte jetë çdo akti sublim. Do ta kujtojmë gjithmonë: si Dritan Shkabën te “Komisari i dritës”, si Skënderin te “Duel i heshtur”, si Perlatin te “Ngadhnjim mbi vdekjen”, si Naimin te “Plagë të vjetra”, apo si inxhinier Ilirin dhe Deden te “Shpërthimi” e “Rrugë të bardha”.
Rikard Ljarja nuk është më, megjithatë filmat e tij transmetohen si dëshmi e një kohe, duke shkaktuar dridhje zemrash te ata që kërkojnë shpagën e plagëve të diktaturës. Ai iku pa asnjë mëkat; askush nuk tregoi gishtin nga ai. Edhe pse karriera e tij u shtri në një kohë kur arti shpesh vihej në shërbim të propagandës, ai diti ta ruajë të pacenuar integritetin e tij. Në kujtesën e nostalgjisë sonë, ai mbetet gjithmonë ai: Delegati te “Në fillim të verës”, Tosti te “Ilegalët”, Luka te “Në pyjet me borë ka jetë”, deri te Gjoni i paharrueshëm te “Shën Gjon Kryepremi”.
Ai u dha këtyre personazheve dlirësinë e tij, zërin prej kumti dhe atë shprehi të ëmbëlsuar në një shpirt ambrozi. E gjithë kjo kolanë rolesh mbetet e ndërtuar mbi sinqeritetin dhe përkorjen – lënda përbërëse e shtatores së tij prej vlerash.
Rikard Ljarja zgjodhi të largohej në pamundësi për të sfiduar ligjin e përkohësisë tokësore, por nuk mori me vete frymën e tij. Iku pa bujë, siç jetoi. Iku duke lënë pas një familje, miq e kolegë me sy të përlotur, dhe një publik që do të kthehet gjithmonë te ai përmes endjes nostalgjike të filmit shqiptar – një dashuri e pashlyeshme që u farkëtua atëherë kur ndjenjat tona temperoheshin përmes artit të tij. Ai shkoi kaluar mbi rrezet që vetë ngjizi, duke lënë pas një gjurmë drite që ende sot na ngroh, ndërkohë që kujtesa do të vazhdojë t’i përkundë këto emra, duke na takuar jo vetëm me ta, por edhe me kohën që la gjurmë në ne përmes magjisë së artit të tyre.
Albert Vataj