Socialistët reagojnë pas lajmit për “infektimin” me SIDA të Flamur Golemit: Duan të bëjnë pis Gjirokastrën, shpifës dhe mercenarë…
Kryetari i Partise Socialiste Gjirokaster, Gentian Llogo, reagoi për përhapjen e SIDA-s në qytetin e gurtë.
Reagimi i plotë
“Elitat” e shpifjes!
Shpifësit sot nuk lodhen më të kërkojnë të vërtetën. Mjafton një thashethem i paketuar bukur dhe e shesin si “informacion ekskluziv”. Sa më i madh mashtrimi, aq më shumë duartrokitje dhe ulërima.
Mercenarët? Janë profesionistë. Ndryshojnë bindje siç ndryshojnë xhaketat e fustanet sipas stinës politike. Sot betohen për parime, nesër i shesin me ulje sezonale. Moral fleksibël, çmim i negociueshëm.
Dhe mosmirënjohësit… ata janë artistë të harresës. Harrojnë gjithçka, sidomos kur u leverdis. I ushqen, të harrojnë. I ngre, të mohojnë. Pastaj flasin për “merita personale” me një seriozitet që do bënte edhe ironinë të skuqej.
Por mos u shqetësoni! Kjo “elitë” ka një talent të rrallë. E ndërton famën mbi gënjeshtra dhe më pas çuditet kur gjithçka u shembet mbi kokë. Në fund, edhe iluzionet lodhen duke i mbajtur në këmbë.
Ndërkohë, një kujtesë e vogël për ju zotërinj e zonja “elitarë”, autorë e klithës përkrahës të “thrillerave” online;
HIV-i në këtë rast nuk është subjekt batute dhe as mjet për propagandë, por një përpjekje për te bërë pis Gjirokastrën, për panik, për të hedhur baltë mbi kryetarin e Bashkisë dhe për të mbledhur vëmendje me cdo kusht.
Shihemi në maj 2027!