21 Maj, 2026

Gara e armatimit në Ballkan: Dronët ushtarakë afrojnë Shqipërinë me Kroacinë

 Gara e armatimit në Ballkan: Dronët ushtarakë afrojnë Shqipërinë me Kroacinë

Kroacia ka shprehur për herë të parë zyrtarisht interes për t’u përfshirë në zhvillimin e industrisë shqiptare të dronëve ushtarakë, në një sinjal të ri afrimi strategjik mes Zagrebit dhe Tiranës në sektorin e mbrojtjes.

Deklarata erdhi pas takimit të zhvilluar në Zagreb mes ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušić, dhe homologut shqiptar, Ermal Nufi, ku bashkëpunimi në industrinë ushtarake dhe teknologjitë moderne të mbrojtjes ishte ndër temat kryesore të diskutimit, sipas njoftimeve zyrtare të të dy palëve.

Në deklaratën e tij pas takimit, Anušić dha sinjalin më të qartë deri tani për interesin kroat ndaj projektit shqiptar të dronëve.

“Shqipëria aktualisht po zhvillon dronët e saj me disa kompani të huaja, por sigurisht që ka vend edhe për kompanitë tona aty, sepse aktualisht ne jemi një nga vendet udhëheqëse brenda NATO-s sa i përket prodhimit dhe shpërndarjes së dronëve FPV”, tha Anušić, duke njoftuar një takim të ardhshëm mes kompanive shqiptare dhe kroate të mbrojtjes.

Deklarata përbën konfirmimin e parë publik se Zagrebi po sheh hapësirë konkrete për përfshirje në projektin shqiptar të zhvillimit të dronëve, duke kaluar përtej bashkëpunimit tradicional politik dhe diplomatik drejt një koordinimi industrial dhe ushtarak.

Zhvillimi erdhi në të njëjtën ditë kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Serbia po krijon njësi të posaçme të pajisura me dronë sulmues dhe municione endacake, në një lëvizje që ai e paraqiti si pjesë të transformimit të ushtrisë serbe përballë sfidave të reja të sigurisë në rajon.

Në mënyrë domethënëse, edhe Beogradi po ndjek të njëjtën linjë teknologjike. Sipas raportimeve të Reuters, Serbia synon prodhimin e përbashkët të dronëve luftarakë me Izraelin përmes një partneriteti industrial me kompani izraelite.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *