21 Maj, 2026

“Kam emrin e gjarprit më të rrezikshëm” – Astrit Çerma tregon historinë e pabesueshme

 “Kam emrin e gjarprit më të rrezikshëm” – Astrit Çerma tregon historinë e pabesueshme

(Një histori me rastin e ditës së lindjes)

Nga Astrit Çerma

Shtatë orë mbasi unë erdha ne jetë, momë Xhemilja e Trungut, u përkul mbi mua, seç “namatisi”nëpër buzë ato fjalë që vetëm ajo i dinte për këto raste, më fërkoi majën e hundës tre herë me sira me mollzat e gishtave pastaj, pa i ndarë sytë nga mua i foli nanës akoma lehonë:

-Hamide…Ketij çuni paskam qefin t’ia ve unë emrin…

Nana i buzëqeshi dhe i bëri shenjë me gisht për nga baba…

– Zoti Isuf, nuk e di pse po, paskam qef t’ia ve une emrin çunit…U llafosa ene me Dejen…Ajo me thotë te pyes ty…

– Ou…Me hajër të qoftë dhe për hajër na u baftë…

Xhemile Trungu më quajti Astrit…

Mbas 14 vjetësh, punova tre muajtë e pushimeve të verës në Qafmollë si ndihmës xhenerik i mjeteve të rënda që përdoreshin për punimet e ujësjellsit të ShënMerisë për Tiranën.

Me nje pelë të bardhë, çdo ditë shpërndaja pjesët e këmbimit dhe kërkesat e tjera që porositnin traktoristët.

Nje ditë, në pizgun e vapës, tek kalëroja zallit të lumit, befas pela qëndroi si e mbërthyer në vend. Turfulloi me vrrull flegrat e hundës dhe filloi të dridhej. Mbeta.

Ndërkohë nje katunar i atyre anëve më foli si nën zë nga përtej zallit:

– Mos luj o çun. Mbërtheu pa qafës së pelës dhe…mos luj…Është gjarpri përpara…

U mbërtheva dhe… Ç’të shoh?…

Pothuajse nje metër larg këmbëvë të pelës, ngritur nja tre a katër pellëmbi trupin me kokën përkulur paksa kërcënueshem përpara, që e leviste lehte dhe kujdeshem sa majtas djadhtas duke lëshuar nje fishkëllim rrënqethese si nje “z” e stërzgjatur…gjarpëri…

Kështu për disa sekonda, pastaj gjarpëri “u lëshua” dhe rrëshqiti  deri sa u zhduk nëpër gurët zallit të lumit. Dy metër e ca gjarpër me e vija të verdha që i valeviteshin shpines dhe me pika te kuqe midis valëve.

Pela me këmbët e mbërthyera aty ku kishte qëndruar akoma dridhej. Katunari me vrap solli nje kovë me ujë dhe ja vuri perpara peles që filloi ta pij si e babzitur.

– Qënke me fat o çun..- më tha mua.- Dy herë me fat…E para: Ke parë gjarpërin ma të rrezikshen e më të bukur ndër gjarpërinjt.

E dyta: Të lëshoi rrugë. Ky gjarpër rrallë i del përpara gjasë së gjallë dhe rrallë e më rrallë mbrapset. Është më i rrezikshmi i sojit të shigjetave. Është gjarpëri… Astrit

Kur i tregova dhe u bind se edhe unë e kish emrin Astrit, jo vetëm ai, por, pothuasjse të gjithë robtë e shtëpise, po, edhe katunarë të tjerë, megjithëse ishin jo vetëm pak mikpritësa për ne punonjësit por edhe shumë kërnacë, mua kurrë nuk më linin pa më afruar kush një gotë dhallë, kush nje dorë frutash…

Siç dukej diçka më shihnin nga gjarpëri, por.. se ç’farë?…

Ata e dinin..

Ndofta diçka dinte edhe momë Xhemilja e Trungut, kur, mbasi u përkul mbi mua, më  “namatisi”nëpër buzë ato fjalë që vetëm ajo i dinte dhe më fërkoi majën e hundës tre herë me sira me mollzat e gishtave…

Ndofta..

Une sot e kesai dite nuk di asgjë….

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *