21 Maj, 2026

Telefonata që tronditi diplomacinë evropiane

 Telefonata që tronditi diplomacinë evropiane

Pak më shumë se një orë pasi u kthye nga Shën Petërburgu më 30 gusht 2024, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, mori një telefonatë nga homologu i tij rus, Sergei Lavrov. Në bisedë, Lavrov e komplimentoi Szijjártón, duke i thënë se të gjitha mediat ruse kishin përmendur vizitën e tij me tone të larta.

“Kam thënë ndonjë gjë të gabuar?”, pyeti Szijjártó me një gjuhë disi flirtuese. Lavrov qeshi dhe e siguroi: “Jo, jo, jo. Thjesht thanë që ju po luftoni në mënyrë pragmatike për interesat e vendit tuaj”.

Por arsyeja e vërtetë e telefonatës ishte një kërkesë konkrete: oligarku rus Alisher Usmanov dëshironte që motra e tij, Gulbahor Ismailova, të hiqej nga lista e sanksioneve të Bashkimit Evropian. Szijjártó premtoi se do të ndihmonte.

“Po, sigurisht”, tha Szijjártó. “Bashkë me sllovakët do të paraqesim kërkesën në BE javën e ardhshme. Me fillimin e periudhës së re të rishikimit të sanksioneve, çështja do të jetë në rendin e ditës dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta hequr nga lista”.

Lavrov ishte i kënaqur, duke shprehur falënderim për “mbështetjen dhe luftën për barazi në të gjitha fushat”.

Dhe ky është vetëm fillimi i një përgjimi të gjatë dhe hulumtimi nga The Insider, së bashku me media të tjera partnere, të cilat kanë investiguar sjelljen e Hungarisë dhe goditjen e madhe që Bashkimit Evropian i ka ardhur nga brenda zyrave të burokracisë.

Një marrëdhënie e pazakontë midis diplomatëve

Biseda nuk u ndal vetëm tek Ismailova. Të dy zyrtarët filluan të kritikojnë Bashkimin Evropian dhe vendet që mbështesnin Ukrainën. Lavrov e quajti Josep Borrellin, ish-përfaqësuesin e lartë për Politikën e Jashtme evropiane “zhgënjimin më të madh”, ndërsa Szijjártó e krahasoi duke e etiketuar si “Bideni i Evropës”.

Ai madje ndau me Lavrov detaje nga takimi i Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, duke i dhënë informacion që mund të konsiderohej tepër i ndjeshëm.

Një zyrtar i Inteligjencës evropiane, duke shqyrtuar transkriptet dhe regjistrimet audio, komentoi:

“Nëse heq emrat dhe i tregon këto biseda çdo oficeri të shërbimit sekret, ai do të betohet që kjo është transkript i një agjenti që punon për Kremlinin”.

Këto biseda dokumentojnë qartë një sjellje të Szijjártós, që kalon kufijtë e diplomacisë normale: një kombinim servilizmi dhe koordinimi aktiv me një shtet agresor në mes të një lufte të hapur.

Lidhja me Kremlin dhe çmimi i miqësisë

Szijjártó nuk ishte thjesht një bashkëbisedues: ai është dekoruar me Urdhrin e Miqësisë nga Rusia në dhjetor 2021, një nga nderimet më të larta që mund t’i jepet një të huaji, dorëzuar fizikisht nga Lavrov vetë.

Krahasimi me Kim Philby, spiunin e famshëm të KGB-së në Britaninë e Madhe, nuk është i ekzagjeruar: të dy morën privilegje të larta nga Rusia për shërbime të fshehta.

Operacioni për të hequr sanksione

Szijjártó dhe Hungaria luajtën rol kyç në heqjen e sanksioneve për individë të lidhur me Kremlinin.

Gulbahor Ismailova, motra e Usmanov, u hoq nga lista e BE-së në mars 2025.

Viatcheslav Kantor dhe Mikhail Degtyaryov gjithashtu shpëtuan nga masa kufizuese.

Vendet e BE-së duhet të bien dakord për çdo vazhdim ose zgjerim të sanksioneve, duke dhënë Hungarisë dhe Sllovakisë një leverdi të jashtëzakonshme.

Në mars 2026, gjatë një rishikimi të sanksioneve, Hungaria dhe Sllovakia përpiqeshin të hiqnin Alisher Usmanov nga lista, me mbështetjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili dërgoi një letër për të mbrojtur oligarkun dhe motrat e tij.

Mbrojtja e flotës së fshehtë ruse të naftës

Në biseda të tjera, Szijjártó raportonte për Pavel Sorokin, zëvendësministrin rus të Energjisë, për përpjekjet për të shpëtuar kompanitë ruse që përdornin flotën e fshehtë të naftës për të shmangur embargo.

Në një telefonatë më 30 qershor 2025, Szijjártó shprehet:

“Kam hequr 72 nga 128 entitete ruse nga lista, po përpiqem të vazhdoj… Nëse stafi juaj mund të më ndihmojë të tregoj efektet negative direkt për Hungarinë, do të isha shumë mirënjohës”.

Ky shkëmbim tregon se ministri hungarez kërkonte aktivisht pikëpamjet ruse për të përçarë sanksionet e BE-së.

Ndikimi politik dhe pasojat

Brenda Hungarisë, ky angazhim shërben për të forcuar narrativën anti-ukrainase dhe për të përdorur sanksionet si leverdi në negociatat me BE-në. Por për Evropën, dobëson qëndrueshmërinë e sanksioneve dhe forcon ekonominë e luftës së Rusisë.

Szijjártó është përballur me reagime të ashpra publike, me protestues që e quajnë “tradhtar” dhe “spiun rus” në tubime. Përgjigja e tij: vetëm një përmendje ironike për çmimin e gazit dhe naftës.

Një strategji e gjatë dhe e sistematizuar

Që nga 2022, Hungaria përdor çdo paketë sanksionesh të BE-së për të mbrojtur individë dhe kompani të lidhura me Rusinë, shpesh me mbështetje të Sllovakisë:

-Patriarku Kirill dhe ambasadori në OKB Vasily Nebenzia.

-Nikita Mazepin dhe familja Prigozhin.

-Klube sportive ruse dhe Komitetin Olimpik Rus.

Në mars 2026, Sllovakia dhe Hungaria tentuan të ndikojnë në rinovimin e listës së sanksioneve, duke kërkuar heqjen e Usmanov dhe Fridman, por BE-ja nuk i plotësoi kërkesat e tyre.

Hetimet dhe transkriptet e siguruara nga një konsorcium gazetarie — përfshirë VSquare, FRONTSTORY, Delfi Estonia, The Insider dhe ICJK — dokumentojnë një fenomen shqetësues: një anëtar i BE-së dhe NATO-s, Hungaria, duke vepruar në mënyrë aktive për interesat e Rusisë.

Kjo strategji, që filloi me veto të veçanta, është kthyer në një lobim sistematik dhe të koordinuar për të mbrojtur oligarkë dhe kompani pro-Kremlinit, duke dërguar një sinjal të qartë për ndikimin rus brenda institucioneve evropiane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *