90 shkresa, asnjë përgjigje – Shteti bënte shurdhin, për t’i marrë Aeroportin e Vlorës, Begjet Pacollit
Kompania MABCO Constructions S.A, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për zgjidhjen e kontratës për Aeroportin e Vlorës.
Kompania e biznesmenit Begjet Pacolli, që më parë ka paralajmëruar se do ta çojë çështjen në Arbitrazh, thotë se i kanë nxjerrë pengesa të shumta, gjatë punimeve.
Për këtë, ajo i është dërguar me plot 90 shkresa Ministrisë, por nga kjo e fundit nuk është ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e konfliktit me ortakun tjetër, që ço në bllokimin e punimeve në Aeroport.
MABCO thotë se në ditët në vijim, do të publikojë dhe komunikimet zyrtare.
Reagimi
Të nderuar përfaqësues të medias,
Ju përcjellim bashkëlidhur kundërshtimin zyrtar të MABCO Constructions S.A., drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur me procedurën e nisur për zgjidhjen e parakohshme të Kontratës së Koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
MABCO kundërshton pretendimet e Ministrisë dhe argumenton se zgjidhja e parakohshme e Kontratës është e pabazuar, pasi një pjesë thelbësore e rrethanave që kanë penguar përfundimin e projektit nuk janë shkaktuar nga investitori. Përkundrazi, kompania dokumenton se për muaj me radhë ka njoftuar institucionet shqiptare për bllokimin e punimeve, pengimin e aksesit në kantier, konfliktin e krijuar në administrimin e shoqërisë koncesionare dhe pasojat që këto zhvillime po sillnin për ecurinë e projektit.
Në kundërshtimin e saj, MABCO evidenton se i është drejtuar MIE-së me më shumë se 90 shkresa, duke kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit Kontraktues për rivendosjen e ligjshmërisë dhe vijimin normal të projektit.
Kompania i referohet gjithashtu vendimit të Gjykatës së Lartë të 26 majit 2026, si dhe një sërë vendimesh dhe zhvillimesh të tjera institucionale që, sipas saj, provojnë se pengesat në realizimin e projektit nuk mund t’i atribuohen MABCO-s.
“Nuk mund të përdoren sot si arsye për zgjidhjen e Kontratës pasojat e një situate për të cilën MABCO ka paralajmëruar prej muajsh dhe për të cilën ka kërkuar në mënyrë të përsëritur ndërhyrjen e institucioneve. Shteti nuk mund të mos veprojë kur i kërkohet të garantojë zbatimin e Kontratës dhe më pas pasojat e këtij mosveprimi t’ia atribuojë investitorit,” është qëndrimi i MABCO Constructions S.A.
Kompania jonë thekson gjithashtu se, pavarësisht pengesave, ka vijuar financimin dhe përpjekjet për përfundimin e projektit, duke kontraktuar ekspertizë ndërkombëtare aeroportuale, pajisje dhe shërbime të nevojshme për certifikimin dhe operimin e aeroportit.
Në dokument argumentohet se MABCO ka marrë masa konkrete dhe të vazhdueshme për të përshpejtuar projektin edhe në kushtet e bllokimit të krijuar.
MABCO i ka kërkuar Ministrisë që mosmarrëveshja të trajtohet përmes negociatave në mirëbesim, sipas mekanizmave të Kontratës së Koncesionit, duke propozuar zhvillimin e tyre brenda 15 ditëve pune dhe jo më vonë se 31 gusht 2026.
Nga ky moment dhe në vijim, në funksion të transparencës së plotë ndaj publikut, MABCO Constructions S.A. do të bëjë publike komunikimet zyrtare me institucionet shtetërore shqiptare që lidhen me këtë çështje.
Për një projekt me këtë rëndësi publike dhe ekonomike, kompania vlerëson se opinioni publik duhet të ketë mundësinë të njihet jo vetëm me deklaratat e palëve, por edhe me dokumentet dhe faktet mbi të cilat ato mbështeten.