Në vend të një urimi, për Bukuroshe Kokalarin
Gëzuar 86-vjetorin e lindjes Bukuroshe Kokalari, aktorja e Teatrit Zihni Sako në Gjirokastër!
Rusha ashtu siç e thërrasin gjithë kolegët dhe miqtë konsiderohet nje nga ikonat e Teatrit Zihni Sako.
Studimet i ka përfunduar pranë Shkollës së Lartë Aleksandër Moisiu në vitin 1964, kohë në të cilën do të niste menjëherë punë si aktore e Estradës së Gjirokastrës.
Falë roleve dhe interpretimeve të shumta ajo do të krijonte nje galeri figurash të pëlqyera nga spektatori jo vetëm në qytet, por edhe në fshat.
Bukuroshja u martua me Bernard Kokalarin, kolegun e saj, i cili ishte aktor dhe regjisor në Teatrin e Gjirokastrës.
Pas 4 vitesh pëkushtim pranë Estradës, në vitin 1968 Bukuroshe Kokalari do të niste punën për krijimin e Teatrit Profesionist, në të cilin do të ishte edhe aktorja e parë e tij.
Rolet e saj do të ishin në shfaqjet si Gryka e nëmur, Ushtari Hinks, Shtëpia në bulevard, Atje në Ebro, Erashka, Një vit në kantier, Lagjja e varfër, Ndeshja, Një dimër i shkurtër, Zani partizani, Njeriu me top, Sheqësimet e Anës, Udha e Zavalinjave e shumë e shumë të tjerë.
Në kinematografinë shqiptare ajo interpretoi në filmin televiziv Shtrëngata në mal (1978) në rolin e Anës dhe në filmin shqiptar Shkëlqimi i përkohshëm (1988) në rolin e nënës së Mozës.
Falë punes dhe profesionalizmit te saj, Bukuroshe Kokalari ështe vleresuar nga Kuvendi Popullor me medaljen Naim Frashëri, ndërsa edhe sot është një figure dhe emër që gëzon respekt nga komuniteti gjirokastrit.
Përveç roleve të saj Bukuroshe Kokalari ka vendosur në skenë edhe disa premiera në rolin e regjisores.
Ajo aktualisht jeton në Amerikë me familjen e saj.
Edhe 100 vite të lumtura zonja Bukuroshe! (Giseld Dervishi)
